Zëri i Rusisë  

1 maj:

Fragment nga urdhëri i Kryekomandantit Suprem të Bashkimit Sovjetik Josif Stalin: "Është ndërmarrë sulmi i fundit mbi strofullën hitleriane. Në luftimet përfundimtare demonstroni shembuj të rinj të aftësisë luftarake dhe guxim. Goditeni sa më fort armikun, çani me mjeshtëri mbrojtjen e tij, ndiqni këmba-këmbës dhe rrethoni okupatorët gjermanë, mos i lini ata të marrin frymë deri sa të mos ndalojnë rezistencën".

Më në jug të Berlinit një grupim i rrethuar trupash gjermane, pa llogaritur humbjet e mëdha që ka pësuar, po vazhdon përpjekjet e dëshpëruara e të krejtësisht të pashpresa për çarjen e rrugës në perëndim. Vetëm një formacion këmbësorie për një ditë asgjesoi 4 mijë ushtarë dhe oficerë gjermanë.

Nga kujtimet e Mareshalit të trupave të blinduara tankiste sovjetike Mihaill Katukov: "Secili donte të jetonte që të shihte me sytë e vet finalen e luftës me fashizmin e mallkuar. Por në ato orë e minuta nuk mund të thuhet se ndokush nga gardistët tanë tregonte kujdes të tepruar vetëm e vetëm që të ruante jetën e vet. Edhe tankistët, edhe këmbësorët përlesheshin e kacafyteshin me armikun nëpër rrugët e Berlinit me këmbëngulje në rritje, me guxim, burrëri, vetëmohim, pa menduar se në luftimet nëpër rrugë në çdo hap mund ti priste  vdekja nga çdo skutë e qoshe".

Ministri i propagandës i Reich-ut mijëvjeçar doktor Paul Joseph Goebbels u përpoq të hyjë në negociata me komandën sovjetike. Mbas dështimit të tyre vrau 6 fëmijët e vet duke i injektuar atyre nga një dozë vdekjeprurëse, kurse më pas së bashku me gruan e tij i dhanë fund jetës me vetëvrasje. Përpara aktit të vetëvrasjes ai i tha adjutantit të vet: "Ne vendosëm ti shkojmë pas Fyrerit tonë".

Ish të burgosurit e kampit të përqendrimit Buchenwald u mblodhën në një miting përkujtimor për të nderuar kujtimin e shokëve të tyre të vrarë. Ata u betuan të bëjnë gjithçka të mundur për çrrënjosjen e fashizmit dhe për ndërtimin e një jete të re paqësore. Pas telave me gjemba dhe gardhit elektrik, në barakat e mbushura plot e përplot të kampit Buchenwald vuajtën dhe u torturuan mizorisht 250 mijë persona të kombësive të ndryshme.