Më 29 prill Teatri Moskovit i Muzikës së Dhomës po përgatit premierën botërore të operas së kompozitorit rus Nikollai Sidelnikov «Бег» ("Arratia"), të vënë në skenë sipas pjesës me të njëjtin titull të Mihaill Bullgakovit. Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur rus i fillimit të shekullit të XX-të nuk e pa dot pjesën të vënë në skenë në të gjallë të vet. "Arratia" është një pjesë që bën fjalë mbi tragjedinë e njerëzve, fatet e të cilëve u thyen nga revolucioni rus i vitit 1917 dhe lufta civile, pjesë që i kushtohet "valës së parë të emigracionit". Shumë gjëra nga ato që janë mishëruar në subjekt autori i ka përjetur vetë: në periudhën e viteve 1919-1921 ai ka qenë mjek ushtarak..."Dënimin me vdekje" kësaj pjese ia dha vetë Josif Stalini: udhëheqësi e vlerësoi atë si "shfaqje të përpjekjes për të provokuar ndjenjën e dhëmbshurisë, mëshirës, në mos simpatisë ndaj disa shtresave antisovjetike të emigrantëve, që morrën arratinë nga vendi" me qëllim që "të justifikojë ose të gjysmëjustifikojë me këtë kauzën e tyre". Kështu që pjesa "Arratia" për herë të parë u vu në skenë vetëm në vitin 1956, plot 16 vjet pas vdekjes së autorit. Kaloi një kohë edhe më e gjatë - 18 vjet që nga dita e vdekjes së kompozitorit Nikollai Sidelnikov para se opera "Arratia" të gjente rrugën e vet drejt skenës. Por shkaqet e një mefshtësie të tillë janë krejtësisht të tjera. Opera e krijuar prej tij tingollonte 5 orë. Redaktimin kompakt të operas e bëri nxënësi i Nikollai Sidelnikovit - kompozitori moskovit Kirill Umanskij. Ndërsa e vuri atë në skenë regjizorja Olga Ivanova. Po a kishte kuptim vallë të vihej në skenë një operë që mbeti për 18 vjet e mbuluar nga pluhuri i harresës "në sirtar"? Mos u vjetërua vallë ajo me kalimin e kohës? Drejtuesi artistik i Teatrit të Muzikës së Dhomës Mihaill Kisljarov në këtë mënyrë iu përgjigj pyetjeve që iu drejtuan atij nga korrespondentja e radiokompanisë "Zëri i Rusisë": "Kjo operë ka përvetësuar, ka mishëruar në vetvete gjithë kulturën muzikore të shekullit të XX-të. Dhe është shkruar në mënyrë gjeniale. Po sa në harmoni me epokën tonë është kjo vepër, do të pyesni ju? Mua më duket se është në harmoni të plotë, në qoftë se do të përsiatim mbi jetën e ditëve tona thellësisht, mbi atë se ç'po ndodh në vendin tonë, në botë. Revolucionet vijnë dallgë-dallgë, kurse jeta vazhdon rrjedhën e vet. Ky është spektakël mbi ato personalitete, në jetën e të cilëve vërshoi revolucioni dhe i theu fatet e tyre dhe ai i ndryshoi edhe individualitetet. Ja pikërisht mbi raporte, marrëdhënie të tilla të ndërsjellta dhe bën fjalë spektakli ynë", tha Mihaill Kisljarov. Kështu pra, premiera e operas "Arratia" do të shfaqet në skenë më 29 prill.