Shkarko audiofailin

Në fillim të javës që vjen Presidenti Dimitri Medvediev do të shkojë me një vizitë shtetërore në Norvegji dhe Danimarkë. Në Oslo ai do të mbërrijë të hënën më 26 prill. Lidhjet midis Rusisë dhe Norvegjisë i kanë rrënjët e veta thellë në histori. Në veçanti, mund të kujtojmë, se në vitin 1326 u nënshkrua marrëveshja për kufirin tokësor midis dy vendeve. Ajo u bë vija e parë e fiksuar me anë të marrëveshjes, e cila ekziston edhe sot e kësaj dite dhe shërben si vijë kufitare ndërshtetërore në Europë. Edhe një fakt tjetër i rëndësishëm nga historia e marrëdhënieve ruso-norvegjeze. Në vitin 1905 Rusia njohu e para zyrtarisht pavarësinë e Norvegjisë. Nga ana e vet, Norvegjia, ishte një nga vendet e para që njohu sovranitetin shtetëror të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Rol të rëndësishëm në afrimin e dy popujve luajti operacioni i Ushtrisë së Kuqe në vitin 1944. Si rezultat i tij u thyen trupat hitleriane në pjesën lindore të guvernës Finnmark, dhe kjo ngjarje shënoi fillimin e çlirimit të Norvegjisë nga okupacioni nazist. Guvernatori i Finnmarkut Gunnar Çjonn theksoi këto ditë në një intervistë dhënë për mjetet ruse të informimit masiv, se çlirimi i zonës norvegjeze Përtejpolare nga Ushtria e Kuqe u bë garanci e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis Oslos dhe Moskës. Lidhjet ruso-norvegjeze po zhvillohen në mënyrë mjaft dinamike. Ky bashkëveprim përfshin sferat: energjetike, industrinë e transportit, peshkimin, ekologjinë, arsimin, kulturën dhe kontaktet midis njerëzve. Së bashku me "Gazpromin" rus dhe "Totalin" finlandez kompania norvegjeze "StatoilGidro" nënshkroi marrëveshjen për shfrytëzimin e vendburimit të gazit kondensat Shtokmanovsk në veri të Rusisë. Duhet të theksohet gjithashtu bashkëpunimi i suksesshëm i Moskës dhe Oslos në kuadrin e strukturave të ndryshme rajonale. Drejtori i Qendrës së studimeve verieuropiane dhe balltike Lev Voronkov shprehet: "Gjithsej pesë shtete të Europës Veriore, duke përfshirë Danimarkën dhe Norvegjinë, janë vende anëtare të Këshillit të Barencevit / Rajonit Euroarktik, Këshillit të vendeve Arktike, Këshillit të shteteve të Detit Balltik, në të cilat pjesëmarrje të barabartë ka Federata Ruse. Këto forma të shumanëshme bashkëpunimi...kanë një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në veri të Europës si dhe për Rusinë në sferën ekonomike, politike e kështu me radhë...". Kontribut me peshë në këto procese, pa dyshim, destinohen të bëhen vizitat shtetërore të Presidentit Dimitri Medvediev në Norvegji dhe Danimarkë.