Flota e Detit të Zi e Rusisë do të mbetet në Sevastopol edhe për 25 vjet. Ndërsa edhe për 5 vite të tjera marrëveshja mund të shtyhet pas përfundimt të këtij afati. Ky u bë sensacioni i parë i negociatave të Harkovit të presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës, përkatësisht, Dimitri Medvediev dhe Viktor Janukoviç. Një ekskurs i shkurtër në historinë e problemit në fjalë: Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 Flota e Detit të Zi u bë objekt debatesh, mosmarrëveshjesh midis dy vendeve. Hap i parë drejt zgjidhjes së tij u bë nënshkrimi në vitin 1992 i Marrëveshjes mbi parimet e formimit të Flotës Ushtarako-Detare të Rusisë dhe Forcave Ushtarako-Detare të Ukrainës në bazën e Flotës së Detit të Zi të Bashkimit Sovjetik. Për disa vite me radhë u zhvillua një proces i vështirë negociator, i cili përfundoi me marrëveshjen për ndarjen, llogaritë e ndërsjellta, statusin dhe kushtet e bazimit të Flotës së Detit të Zi. Në përputhje me të Flota duhej të ndodhej në Sevastopol deri në vitin 2017. Autoritetet e mëparshme ukrainase u përpoqën më se një herë ti rishikonin këto marrëveshje. Por tani të gjitha problemet gjetën zgjidhje, të paktën për këto 30 vitet e afërta. Sensacioni i dytë i negociatave të zhvilluara në Harkov u bë arritja e marrëveshjeve të plota në lidhje me furnizimet e gazit. Në 10 vitet e afërta Rusia do ta ndihmojë Ukrainën me burime gazi me shumë rreth 40 miliardë dollarë. Kurse drejtuesit e kompanive "Gazprom" dhe "Naftogaz Ukraini" nënshkruan dokumentet mbi furnizimin e gazit rus në Ukrainë dhe transitin e tij në Europë deri në vitin 2019. Ndërlidhurinë e përfundimeve të këtyre negociatave e argumentoi Dimitri Medvediev duke sqaruar se ulja e çmimit të gazit do të llogaritet si një pjesë e qirasë që paguhet nga Rusia për qendrimin e Flotës ruse të Detit të Zi në Sevastopol. Aspak nuk habitet dhe ka mbetur plotësisht e kënaqur nga rezultatet e negociatave ruso-ukrainase specialistja për Ukrainën e Institutit të vendeve të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura të Akademisë së Shkencave të Rusisë Valentina Gajdenko: "Me zgjedhjen e presidentit të ri të Ukrainës dhe formimin e qeverisë së re Rusia, sigurisht, që lidh shpresat për vendosjen e marrëdhënieve të reja me Kievin - më miqësore dhe më partneriale. Shansi që iu dha tani Rusisë dhe Ukrainës, duhet të shfrytëzohet medoemos. Siç vuri në dukje Dimitri Medvediev, vendeve tona do tu duhet ti shndërrojnë marrëdhëniet reciproke nga të zakonshme në partneriale, tu rikthejnë atyre cilësinë e marrëdhënieve strategjike.