Shtypi njofton për mbajtjen e raportit të përvitshëm mbi veprimtarinë e qeverisë nga ana e Kryeministrit Vladimir Putin në Dumën Shtetërore. Gazeta "Novie izvestia" shkruan, se qeveria ruse mundi të ruajë vëllimin e planifikuar të buxhetit. Gjysma e tij u drejtua për shpërblimin e punës, për pagat dhe ndihmat sociale (asistencat). Rusia e përballoi këtë periudhë pa shkurtime të rëndësishme të neneve të buxhetit. U parandalua shkatërrimi i sektorit real dhe sistemit financiar. Përveç kësaj, Kryetari i qeverisë deklaroi, se në Rusi aktualisht nuk ka më pensionistë që jetojnë nën nivelin zyrtar të varfërisë. Putin mendon se pas dy vjetësh deficiti duhet të ulet deri në 3 %, kurse më pas buxheti do të bëhet jo deficitar. Kjo do të arrihet për llogari të burimeve suplementare të të ardhurave dhe rritjes së efektivitetit të shpenzimeve.

Përfundoi vizita dyditore në Moskë e Presidentit uzbekistanas Islam Karimov. Ai diskutoi me Presidentin Dimitri Medvediev problemet e Azisë Qendrore, ndër të tjera dhe destabilizimin e situatës në Kirgistan. Siç vë në dukje botimi "Kommersant", Liderin uzbekistanas Islam Karimov në Moskë e konsiderojnë si njërin nga bashkëbiseduesit më të vështirë ndër gjithë presidentët e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP). Por gjatë vizitës së tanishme Islam Karimov theksoi se atë e lidhin marrëdhënie mirëbesimi me Presidentin rus dhe se ai është më se i sigurt se bashkëpunimi me Moskën do të vijë vetëm duke u forcuar.

Presidenti i rrëzuar nga pushteti i Kirgistanit Kurmanbek Bakijev gjeti strehim në Minsk. Për këtë njoftoi Lideri bjellorus Aleksandër Llukashenko gjatë mesazhit të vet të përvitshëm drejtuar parlamentit. Në të ai përmendi prioritetet e politikës së jashtme të vendit të vet. Ky është edhe bashkëpunimi me Venezuelën, e cila mund të bëhet burim alternativ i sigurimit të lëndëve hidrokarbure, edhe zhvillimi i marrëdhënieve reciproke me Ukrainën, Poloninë, vendet Pranëballtike dhe Kinën. Rusia në këtë kontekst nuk u përmend fare. Llukashenko është më se i bindur, se kursi i Kremlinit për "pragmatizimin" e marrëdhënieve dhe kalimin e tyre në rrafshin e tregut, në fakt, vë nën rrezik kërcënues mbijetesën e Bjellorusisë. Parashtrimit të pretendimeve të veta ndaj Rusisë Llukashenko i kushtoi plot 30 minuta të raportit të tij. Por, siç vë në dukje botimi "Nezavisimaja gazeta", Llukashenko është i gatshëm ti harrojë të gjitha qejfet e mbetura me Rusinë në qoftë se Moska do të bjerë dakort për një bashkëpunim të barabartë me Minskun.