Më 17 prill në 20 qytete të Rusisë do të shfaqet premiera e filmit "Të topiturit nga dielli-2. Pritshmëria" («Утомленные солнцем-2. Предстояние»). Kurse në maj këtë punë të re të regjizorit të njohur rus Nikita Mihallkov do t'ia paraqesin për gjykim shikuesve të Festivalit të famshëm Kinematografik të Kanës. Ai tashmë ka hyrë në konkursin kryesor të këtij festivali. 16 vjet të shkuara filmi i parë "Të topiturit nga dielli" u nderua me çmimin e prestigjshëm të Akademisë kinematografike amerikane Oscar. Historia e këtij filmi është shumë e thjeshtë. Ishte verë e vitit 1936. Një familje e madhe e mbledhur në shtëpinë e vet verore (daça) në periferitë e Moskës. Kryetari i familjes është epror i lartë ushtarak. Ai ka një bashkëshorte të re të bukur dhe një vajzë të mrekullueshme. Prindërit e gruas janë një çift i moshuar profesorësh, inteligjentë të mirëfilltë që nga kohërat e carit. Por kanë ata edhe një mik të ngushtë të familjes, i cili për forcë rrethanash u bë tradhëtar dhe xhelat i kësaj familjeje aq të dashur për të... Dita fillon dhe rrjedh ashtu e shkujdesur, ndërsa përfundon në mënyrë tragjike - heroin kryesor, eprorin e lartë ushtarak të quajtur Kotov, e arrestojnë. Shikuesve pothuajse nuk i mbetet pikë dyshimi se atë nuk do ta lenë të gjallë dhe se ai do të plotësojë listën e miliona viktimave të represioneve staliniste. Por filmi i ri "Të topiturit nga dielli-2. Pritshmëria" («Утомленные солнцем-2. Предстояние») sikur e kthen heroin kryesor Kotov nga mosqënia dhe e hedh atë në një vorbull tjetër - në frontet e Luftës së Dytë Botërore, në periudhën më të vështirë të viteve 1941-1943 kur Ushtria e Kuqe po tërhiqej nën darën e presionit të trupave fashiste. Po ç'ndjesi provonte njeriu i përfshirë në këtë luftë? Regjizori u përpoq ta ndjejë, ta provojë këtë, si i thonë fjalës, në lëkurën e tij. Sepse ai vetë luan rolin e heroit kryesor: "Ne kemi xhiruar skena tejet të vështira dimërore - në të ftohtin e madh të dimrit rus, të lagur e të ngrirë nga acari në llogore, - tregon Nikita Mihallkov. - Fryn erë e tërbuar, në fushë të hapur, rreth e rrotull makinat e tymit që krijojnë mjegullën... Ne të gjithë të veshur me uniformën e ushtarëve të asaj kohe. Gjatë rrugës së kthimit pas mbarimit të xhirimeve unë ëndërroja: tani do të vij në shtëpi ku më pret banja ruse, do hedh 100 gramë votkë dhe do të shtrihem në krevat... Kur befas më rregëtiu në mendje mendimi: ja unë po udhëtoj tani me automobil, kurse në luftë s'kishte as banjë për të ngrohur kockat, as veshje të ngrohta, as shtrat të butë... Dhe plumbat ishin të vërtetë". Në vjeshtë të këtij viti në ekran të gjerë do të dalë pjesa e dytë e filmit "Të topiturit nga dielli-2. Fortesa" («Утомленные солнцем-2. Цитадель»). Siç tregon Nikita Mihallkov kjo punë e tij kinematografike është kundërpërgjigje ndaj filmit të Steven Spielberg "Saving Private Ryan", i cili krijoi tek shikuesit përfytyrimin, iluzionin se luftën më barbare, më të egër në historinë e njerëzimit e fituan aleatët amerikanë dhe europianë të Rusisë. Ndërkohë që ata hynë në luftë vetëm në vitin 1944, kur u bë krejtësisht e qartë se Bashkimi Sovjetik i kishte vënë tashmë përpara dhe do ti shpartallonte fashistët edhe pa ndërhyrjen e tyre. Unë sigurisht doja që filmi im të fliste edhe për këtë, por pikësynimi im më kryesor ishte, shtoi Nikita Mihallkov, që ti bëja njerëzit të rivlerësonin, të riperceptonin dhuratën më të paçmuar që u është faluar atyre - jetën.