Shkarko audiofailin

Diva e famshme operistike ruse Anna Netrebko u nominua sërish për çmimin më të prestigjshëm britanik në lëmin e muzikës klasike - "Classical Brit Awards". Anna Netrebko është bërë tashmë dy herë zotëruese e këtij çmimi në kategorinë "Artisti më i mirë - femër" në vitet 2007 dhe 2008. Pas lindjes së djalit Anna filloi të provojë veten në role të reja. Një sensacion i vërtetë u bë programi i saj i ri me romancat e klasikëve rusë - Çajkovskit dhe Rimski-Korsakovit, të cilin këngëtarja e ka prezantuar në verë në Salzburg, kurse në fund të marsit e paraqiti në Moskë dhe Shën Peterburg. Po atëhere ajo i dha një intervistë të zgjeruar televizionit rus: "Unë mendoj se për interpretimin e muzikës së dhomës këngëtari duhet ta zotërojë 100% instrumentin e vet vokal. Këtë gjë unë e kam konfirmuar që kur isha studente në konservator. Me që ra fjala, mua më përjashtuan nga konservatori pikërisht për mosdhënien e provimit në disiplinën e vokalit të muzikës së dhomës. Vërtet, dhënia e provimit të romancave ishte katastrofë e plotë. Dhe sado që i mësonim këto romanca, sa do që përpiqeshim ti këndonim, veçanërisht ato të Çajkovskit, askush nuk arrinte ti interpretonte dot ashtu siç duhej ato. Sepse, në përgjithësi, Çajkovski është shumë i vështirë për tu kënduar. Unë mendoj se duhet të sakrifikosh vite të tëra të jetës tënde dhe të grumbullosh një përvojë të madhe vokale me qëllim që të mësosh të këndosh romancat e tij. Kështu mendojnë shumë muzikantë. Ndërkohë në koncertin në Festspielhause (Festishpilihause) në Salzburg unë mbeta tej mase e habitur nga mënyra se si i priti me gojë hapur, i mrekulluar publiku romancat ruse. Kurse më pas filluan të thonë, se ajo ishte një nga ngjarjet më të mira, më impresionuese muzikore të verës, thotë këngëtarja. Anna Netrebkon, e cila si dhe më parë vazhdon të mbetet soliste e Teatrit "Mariinski" të Shën Peterburgut, e ftojnë për pjesëmarrje në spektaklet e veta trupat më të mira operistike të botës. Ndër punët e saj të suksesshme më të fundit skenike mund të përmendim pjesëmarrjen në spektaklet e Metropolitan Opera, në veçanti, në operan "La Boheme" të vënë në skenë nga i famshmi Franco Zeffirelli. Role të reja e presin Anna Netrebkon në teatrin "Mariinski". "Ne folëm me Valeri Gergievin në lidhje me planet e reja. Dhe unë i propozova atij venien në skenë të operas "L'elesir d'amore" të Gaetano Donizettit. Ne në teatrin tonë kemi shumë tenorë të mirë të rinj, të cilët, siç më duket mua, do ta interpetojnë për mrekulli atë. Sepse kjo është një operë që adhurohet nga të gjithë. Dhe mua më duket se në Teatrin "Mariinski" ajo mungon, mendon Anna Netrebko.