Me një aktivitet të paprecedentshëm - transmetimin televiziv direkt në formatin 3D më 15 prill do të hapet Festivali i X-të Ndërkombëtar i baletit "Mariinski". Për herë të pare në botë me ndihmën e teknologjisë së re të imazhit tre-dimensional nga Shën Peterburgu do të transmetohet koncerti Gala i yjeve të Teatrit "Mariinski". Atë do të mund ta ndjekin qindra mijëra banorë të Rusisë dhe Europës. Tani për tani teleshikuesit do të kenë mundësi të shohin vetëm, si i thonë fjalës, "anën ballore" të tabllosë së numrave të baletit, pa faqen e përtejme të siparit. Por për kërcimtarët bile edhe kjo është një vështirësi suplementare. Ekzistojnë ligje të caktuara: solistët kryesisht drejtohen me fytyrë nga publiku, kurrë me brinjë apo shpinë, vuri në dukje prima balerina e Teatrit "Mariinski" Uliana Llapatkina: "Kjo është një detyrë jo e lehtë: në hapësirë tre-dimensionale të dukesh nga të gjitha anët në mënyrë perfekte. Meqenëse nuk është sekret për askënd, se ngandonjëherë kërcimtarët nxjerrin apo marrin frymë kur kthehen me kurriz nga shikuesit...". "Të provohet, të eksperimentohet, tu jepet shans të rinjve" - në arritjen e këtyre pikësynimeve të drejtuesit të Teatrit, dirigjentit të famshëm Valeri Gergijev, orientohet festivali "Mariinski". Në programin e tij hyjnë pesë premiera. Që në ditën e parë të tij do të jepet baleti i Radion Shedrinit "Anna Karenina" në versionin koreografik të Aleksei Ratmanskit. Vënien në skenë të "Anna Karenina" ai e destinoi për Baletin Mbretëror danez. Spektakli është vënë në skenë edhe në teatrot e Helsinlit, Varshavës, Vilniusit dhe është nderuar me çmimin e prestigjshëm "Benois de la dance". Në Shën Peterburg atë do ta zbukurojnë me pjesëmarrjen e vet yjet e Teatrit "Mariinski": Diana Vishnjova, e cila do të kërcejë Anna Kareninën më 15 prill, dhe Uliana Llapatkina që në këtë rol do të dalë në skenë më 16 prill. Uliana Llapatkina-n publiku do ta shohë edhe në një premierë tjetër - në baletin "Karmen Suite" të Bize-Shedrinit. Në përgatitjen e partisë së Karmenit Ulianën e ka konsultuar interpretuesja e parë dhe e paarritshme deri më sot e rolit kryesor Maja Pliseckaja. Në klasikën e pavdekshme, të paraqitur në mënyrë tejet të larmishme në afishen e festivalit, do të dalin në role solo balerinë të famshëm të teatrove të New Yorkut, Londrës, Parisit, Berlinit dhe Moskës. Bashkatdhetari ynë, i cili ka kërcyer në të gjitha skenat më famoze të botës, Vladimir Mallahov është mëse i bindur: "Klasika sigurisht që duhet kërcyer, ajo të zgjat jetën. Kurse nga ana tjetër të lind dëshira ta habisësh, ta mahnisësh publikun me diçka të re. Pikërisht për këtë arsye ne dhe po eksperimentojmë me një gjë krejtësisht tjetër".  Klasika, por në të njëjtën kohë diçka krejtësisht tjetër-në këtë dhe është i orientuar versioni "Zhizel" ("Giselle") i koreografit të kultit Mats Ek. Dhe, sigurisht, diçka të re do të demonstrojë ekipi ndërkombëtar i koreografëve të rinj në programin special "Gjenerata e re". Duke prezantuar festivalin e tanishëm, i cili do të vazhdojë deri më 25 prill, Valeri Gergijev vuri në dukje si vijon: "Teatrin "Mariinski" e quajnë si "Mekka e baletit". Pikërisht në skenën e tij kanë lindur punë me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për zhvillimin e koreografisë botërore. Dhe festivali ynë destinohet të demonstrojë gjithçka të fortë e të mrekullueshme të shkollës së baletit rus të ditëve tona".