Shkarko audiofailin

Samiti kushtuar sigurisë bërthamore, që u zhvillua në Uashington, mund të thuhet se doli mjaft i suksesshëm. Një vlerësim të tillë i bëri këtij forumi ndërkombëtar, i cili mbodhi liderët e 47 shteteve, Presidenti Dimitri Medvediev. Bota u bë më e sigurt, tha Presidenti Barak Obama pas përfundimit të samitit. Për një vlerësim të tillë kaq të lartë ka plot arsye. Në samitin e Uashingtonit u nënshkrua dokumenti, sipas të cilit vendet-pjesëmarrëse në këto 4 vitet e afërta zotohen të bëjnë gjithçka të mundur me qëllim që materialet e tyre disponuese bërthamore të mos bien në duart e terroristëve. Një sërë shtetesh tashmë deklaruan mbi atë se ç'masa kanë ndërmend të marrin për arritjen e këtij qëllimi. Kështu, Ukraina dhe Meksika vendosën të ndjekin shembullin e Kilit dhe të utilizojnë të gjitha rezervat disponuese të uraniumit të pasuruar.  Kanadaja vendosi të heqë dorë nga një pjesë e konsiderueshme e rezervave të tij. Një nga rezultatet tejet të rëndësishme praktike të forumit u bë nënshkrimi i protokollit ruso-amerikan për utilizimin e tepricave të plutoniumit të armatimeve. Sipas këtij dokumenti çdonjëra nga palët duhet të djegë në reaktorët e vet deri në 34 tonë të këtij materiali të rrezikshëm. Në tërësi pjesëmarrësit e samitit shprehën unanimitet të plotë në lidhje me mendimin, se për një garantim më të sigurt të paqes duhet përforcuar regjimi i mospërhapjes bërthamore. Presidenti Dimitri Medvediev tregoi për këtë dhe shumë gjera të tjera në takimin me përfaqësuesit e elitave politike dhe biznes-elitave të SHBA-s në Institutin Brookings të Uashingtonit. Ja, për shembull, si e shpjegoi ai detyrën e Traktatit të ri mbi sigurinë europiane, që propozohet për përfundim nga Rusia: "Ky Traktat nuk drejtohet kundër asnjë organizate. Kjo nuk është aspak ndonjë ide e kamufluar dinake e rusëve kundër NATO-s apo OSBE-së. Ne, thjesht, propozojmë plotësimin e sistemit aktual veprues të sigurisë së Europës me një instrument më efektiv ligjor. Nuk la pa vemendje Presidenti Medvediev edhe temën e Iranit. Duke deklaruar se programi bërthamor i këtij vendi po krijon me të vërtetë rrezik kërcënues global për gjithë komunitetin botëror, ai nuk përjashtoi as mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj tij. Por, sipas mendimit të Presidentit rus, ato duhet të jenë tej mase të peshuara dhe të mos prekin në kurrfarë mënyre popullsinë civile: "Unë nuk jam aspak ithtar i të ashtuquajturave "sanksione paralizuese", të cilat e dënojnë me vuajtje të pamerituara popullin. Së pari, kjo nuk është aspak e moralshme, së dyti, kjo gjë është e aftë të shkaktojë një rezultat krejtësisht të kundërt me atë të pritshëm dhe mjaft të rrezikshëm. Sanksionet kundër Iranit duhet të jenë universale. Ato duhet të bashkërenditen me të gjithë pjesëmarrësit kryesorë të procesit ndërkombëtar në lidhje me këtë problem dhe të drejtuara për arritjen e një rezultati. Pikërisht për këtë arsye vendosja e sanksioneve varet jo vetëm nga pozita e SHBA-s, Europës, Rusisë, por edhe ajo e Kinës, Amerikës Latine. Vetëm në rast të arritjes së unanimitetit në lidhje me këtë çështje një vendim i tillë do të jetë i aftë të sjellë rezultatin e dëshiruar", tha Dimitri Medvediev. Afganistani, Kirgizia, aktet terroriste në metronë e Moskës, komunikimi me SMS me Barak Obamën - asnjë nga këto tema nuk u la pa prekur nga Presidenti rus Medvediev. Ai iu përgjigj të gjitha pyetjeve që interesojnë shoqërinë amerikane në mënyrë maksimalisht të sinqertë dhe të hollësishme. Dhe shprehu besimin e vet në atë, se kjo bisedë do ti ndihmojë amerikanët për ta kuptuar më mirë dhe më drejt Rusinë.