Shkarko audiofailin

Ceremonia e dhënies së lamtumirës së fundit Kryetarit të shtetit polak Lech Kaczynski dhe bashkëshortes së tij Maria po zhvillohet sot në pallatin presidencial në Varshavë. Ceremonia funerale e varrimit të tyre, siç presupozohet, do të zhvillohet më 18 prill. Në momentet aktuale janë identifikuar 45 nga 96 personat që gjetën vdekjen gjatë aviakatastrofës nën Smolensk. Aeroplani i Presidentit Lech Kaczinsky, në të cilin ai së bashku me bashkëshorten dhe përfaqësuesit e elitave politike, ushtarake, klerikale të Polonisë po fluturonte për pjesëmarrje në aktivitetet përkujtimore në Katin, u rrëzua gjatë hyrjes në pistën e uljes. Nuk arriti të mbijetojë askush. Hidhërimin e polakëve e ndanë së bashku me ta qytetarët rusë të tronditur e të shokuar nga kjo tragjedi. Për disa orë rruga pranë godinës së Ambasadës së Republikës Polake në Moskë u shtrua e tëra me lule të freskëta. Presidenti Dimitri Medvediev e shpalli 12 prillin Ditë Zie kombëtare. U liberalizua maksimalisht rregjimi i vizave për të afërmit e viktimave të katastrofës. Të gjitha procedurat ata mund ti bëjnë pa kurrfarë problemi në aeroport. Akomodimin në hotele, jetesën, shoqërimin e tyre me përkthyes dhe dhënien e ndihmës psikologjike i mori mbi vete Moska. Populli polak dhe udhëheqja e vendit e vlerësuan lart pjesëmarrjen aktive të Rusisë në punimet kërkimoro-shpëtuese në vendin e katastrofës dhe aktivitetet që i pasuan ato. Në sfondin e kësaj fatkeqësie bile dhe hija e tragjedisë së Katinit, e cila për një kohë mjaft të gjatë pat errësuar marrëdhëniet midis Moskës dhe Varshavës, u zbeh. Siç venë në dukje politologët, ngushëllimet e sinqerta nga ana e Rusisë eliminuan, zhdukën fare atë mosbesim që pat ekzistuar këto vitet e fundit midis dy vendeve tona. Ia vlen të vihet në dukje, se vendimin për t'ia lënë të kaluarën historianëve, ndërsa vetë të ndërtojnë marrëdhënie miqësore midis tyre Rusia dhe Polonia e morrën para tragjedisë. Ja se ç'thotë në lidhje me këtë politologu rus Boris Shmeljov: "Më 7 prill gjatë kohës së qendrimit të Kryeministrit të Polonisë Donald Tusk në Katin Kryeministri rus Vladimir Putin pranoi, se në Katin u krye krim dhe se përgjegjësinë për të e mban regjimi stalinist dhe jo Rusia aktuale. Mua më duket se me këtë mund ti vihet pikë problemit. Deklarata e Lech Walensa-s dhe një sërë veprimtarëve të tjerë politikë të Polonisë mbi atë, se kjo tragjedi - katastrofa e aeroplanit të Presidentit të Polonisë - do ti afrojë popujt tanë, të mbush me shpresë se kështu dhe do të ndodhë në të vërtetë". Për një kohë të gjatë Presidenti Kaczynski pat zënë një pozitë mjaft të rreptë përkatësisht çështjes së Katinit. Por jo shumë kohë përpara vdekjes së vet tragjike ai i rishikoi pikëpamjet e veta. Kjo bëhet plotësisht e qartë nga fjala që Presidenti polak kishte ndërmend të mbante në aktivitetet përkujtimore në Katin. Ja një fragment i shkurt nga ajo: "Katini u bë një plagë fort e dhimbshme e historisë së Polonisë dhe për shumë dhjetëvjeçarë të tërë me radhë pat helmuar marrëdhëniet midis polakëve dhe rusëve. Le të veprojmë në mënyrë të tillë që këtej e tutje që plaga e Katinit të mund të shërohet, më në fund, njëherë e mirë. Dhe ne tashmë kemi hyrë në rrugë të drejtë. Ne, polakët, vlerësojmë atë që është bërë këto kohët e fundit prej rusëve. Dhe nëpër këtë rrugë që i afroi popujt tanë ne duhet të avancojmë më tej". Ruhet shpresa se teksti i kësaj fjale të pambajtur nga Presidenti i ndjerë i Polonisë do të shërbejë për brezat e rinj të politikanëve dhe veprimtarëve shoqërorë, të cilët do të zëvendësojnë zyrtarët e lartë të cilët u bënë viktima të katastrofës, dhe do të përceptohet nga ata si njëfarë testamenti. Me qëllim që popujt e Polonisë dhe Rusisë, të cilët sot i unifiloi hidhërimi i përbashkët, të mbeten së bashku edhe në të ardhmen.