Rusia shpreson shumë, se asaj nuk do ti duhet të shkelë Traktatin e ri me SHBA-s mbi Armatimet Strategjike Ofensive (ASO) dhe bën thirrje për të krijuar bashkarisht sistemin e mbrojtjes globale. Për këtë i deklaroi kanalit televiziv amerikan "ABC News" Presidenti rus Dimitri Medvediev në vigjilje të vizitës së tij në SHBA-s. Një deklaratë e tillë e Liderit rus nuk do të thotë aspak se ai nuk beson në perspektivat e favorshme, të volitshme të dokumentit të saponënshkruar, i cili vlerësohet si eveniment historik. E megjithatë Dimitri Medvediev kujtoi principin e njohur juridik latin: "Traktati quhet i vlefshëm e veprues për sa kohë që nuk ndryshojnë rrethanat". Sepse në preambulën (parathënien) e Traktatit të ri mbi ASO është përfshirë formulimi mbi ekzistencën e ndërlidhurisë midis armatimeve strategjike ofensive dhe forcave e mjeteve antiraket. Ndërkohë realiteti mund të ndryshojë, në qoftë se SHBA do të vazhdojnë të rrisin përhapjen e sistemit të vet të Mbrojtjes Antiraket (MAR) në Europë. Në lidhje me këtë disa specialistë ushtarakë rusë nuk përjashtojnë mundësinë e rrotullimit të spiralit të ri të garës së armatimeve raketoro-bërthamore. Sipas mendimit të tyre, vendosja e sistemit amerikan të MAR në Europë mund të stimulojë vendet e treta për përsosjen e karakteristikave të raketave balistike me qëllim të përballimit më efektiv të sistemeve mbrojtëse. Ndërsa në këtë rast zor se do të mund të arrihet frenimi i një sërë shteteve brenda kuadrit të Traktatit të mospërhapjes së armës bërthamore. Në fakt, ekziston edhe alternativa plotësisht reale e zhvillimit të ngjarjeve sipas një skenari të tillë krejtësisht të padëshirueshëm. Për këtë qëllim Dimitri Medvediev i bëri thirrje palës amerikane për krijimin e përbashkët të sistemit të mbrojtjes globale. Arsyeshmërinë e një qendrimi pikërisht të tillë e vë në dukje në intervistën e vet dhënë radiokompanisë "Zëri i Rusisë" eksperti, bashkëpunëtori shkencor i Qendrës së sigurimit ndërkombëtar të Institutit të Ekonomisë botërore dhe Marrëdhënieve ndërkombëtare Vladimir Jevsejev: "Do të ishte një punë më reale sikur të përpiqeshim të ndërtonim bashkarisht sistemin e MAR. Për këtë qëllim Rusia mund të ofronte shfrytëzimin e burimeve informative që zotërohen prej saj. Përveç kësaj, është plotësisht e mundur që për kapjen e raketave në sektorin e fundit të trajektores së fluturimit të shfrytëzohen sistemet ruse S-400, të cilat përkatësisht karakteristikeve të veta superojnë në mënyrë të qenësishme sistemin amerikan "Patriot-Pak-3". Rusisë i duhet të përqendrohet në ato sfera, në të cilat ajo mund të bashkëpunojë realisht me SHBA-s. Në këtë rast ne mund të gjejmë pikëpjekje. Dhe ato tashmë ekzistojnë. Rusia mund të punojë me këmbëngulje me partnerët e vet amerikanë për krijimin e sistemit të përgjithshëm të sigurisë euroatlantike". Nënshkrimi i traktatit të ri mbi ASO u bë i mundur falë kompromisit të arsyeshëm që u arrit midis palëve. Sipas mendimit të MPJ të Federatës Ruse, një qendrim i tillë nuk do të ndikojë negativisht në sigurinë e Rusisë apo SHBa-s. Përveç kësaj Rusia mori garanci të asaj, se ajo nuk do të ndodhet e lidhur me detyrime të njëanshme në qoftë se në sferën e MAR do të ndodhë ndonjë gjë e papranueshme për sigurimin e saj kombëtar.