12 prill

Në pjesën verilindore dhe atë veriore të Bratisllavës trupat sovjetike vazhdonin ofensivën. Kundërshtari ndërtonte ethshëm pengesa  inxhinierike, pika të shumta zjarri dhe bënte një rezistencë të tërbuar. Njësitë sovjetike, të cilat vepronin në kushte tejet të vështira terreni maloro-pyjor, vazhdonin të avanconin me këmbëngulje.

Trupat e Frontit të 3-të Ukrainas vazhdonin ndërkohë luftimet e ashpra nëpër rrugët e Vjenës. Njësitë e trupave sovjetike në disa vende arritën të kalonin në kahun tjetër nëpërmjet kanalit të Danubit dhe duke përballuar kundërsulmet e gjermanëve hap pas hapi avanconin përpara. Repartet sulmuese në bashkëveprim me artileristët bllokojnë nyjet e rezistencës së gjermanëve dhe i likuidojnë ato. Kundërshtari po pëson humbje të rënda.

Mareshali i Bashkimit Sovjetik Konstantin Rokossovskij kujtonte pas përfundimit të luftës: "Drejt Berlinit po çanin luftëtarët që kishin mbajtur mbi supet e veta gjithë vështirësitë, barrën më të rëndë të betejave paraardhëse.   Çështja e nderit për ta konsistonte në atë, që duke zgjidhur misionet e veta luftarake të bënin gjithçka të mundur me qëllim që të ruanin jetët e luftëtarëve të efektivit të vet. Por neve na jepej fare pak kohë për rigrupim, megjithëse trupat duhej të përshkonin një distancë prej më tepër se 300 kilometrash. Në fakt, trupat e frontit do të duhej të fillonin menjëherë ofensivën".

Në këtë ditë Nënpresidentin e SHBA-s Harry Truman e thirrën urgjentisht në Shtëpinë e Bardhë. E priti atë Mrs. Roosevelt, e cila duke i vënë dorë në sup i tha: "Harry, Presdenti vdiq". Për një moment Truman mbeti i shtangur e i shokuar nga ky lajm dhe nuk mundi të thoshte asnjë fjalë. Eleanor Roosevelt pas njëfarë heshtjeje jo të gjatë tha: "Harry, me çfarë mund të jem unë e dobishme për ty? Sepse tani të gjitha problemet do të bien mbi supet e tua".

Kur mori vesh për vdekjen e Presidentit të SHBA-s Ministri i propagandës i Rajhut të Tretë (Third Reich) Paul Joseph Goebbels në gjendje euforie të plotë e krahasoi këtë ngjarje me fatin analogjik të Frederick the Great, që përfundoi me fitoren e ushtrisë prusiane. Sipas fjalëve të dëshmitarëve okularë, gjendja shpirtërore e Fyrerit u përmirësua për njëfarë kohë. Fyreri filloi të flasë sërish për rolin e providencës hyjnore.