Siguria bërthamore globale është e mundur të garantohet vetëm me zotërimin e "sistemeve efektivë kombëtarë" nga të gjitha shtetet. Për këtë deklaruan në Kremlin në prag të samitit për sigurinë bërthamore, i cili do të hapet më 12 prill në Uashington. Përfaqësuesit e më shumë se 40 vendeve dhe disa organizatave ndërkombëtare do të diskutojnë në kryeqytetin e SHBA-s çështjet e mospërhapjes së armës bërthamore dhe të ardhmen e energjetikës bërthamore. Mbi domosdoshmërinë e koordinimit të përpjekjeve të shteteve bërthamore në çështjet e sigurisë ka deklaruar mëse një herë Presidenti rus Dimitri Medvediev. Në vitin 2006  Moska dhe Uashingtoni e parashtruan Iniciativën Globale të luftës kundër sulmeve të terrorizmit bërthamor. Në lidhje me këtë temë në vigjilje të samitit u shpreh dhe Presidenti amerikan Barak Obama. Edhe Rusia, edhe Shtetet e Bashkuara janë ithtare të respektimit nga të gjitha vendet të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila destinohet të mos lejojë rënien e armës së shfarosjes në masë në duart e krijimeve joshtetërore. Bomba bërthamore në duart e terroristëve është rrezik kërcënues për gjithë botën, kujton bashkëpunëtori shkencor i Institutit të Ekonomisë botërore dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Rusisë Igor Hohllov: "Sot është mjaft i madh rreziku i rënies së armës bërthamore në duart e grupeve terroriste me prirje radikale. Dhe në qoftë se armën bërthamore e përdor shteti, gjithmonë ekziston adresa e kthimit. Çdo udhëheqje shtetërore, bile dhe ajo më radikale, e kupton për mrekulli se ai që përdor i pari armën bërthamore vdes i dyti. Në rastin me terroristët adresë kthimi nuk ka. Ne nuk e dimë se kush e ndërmerr këtë sulm, por edhe sikur ta dinim është e vështirë të gjenden ekzekutuesit. Përveç kësaj, për terroristët jeta vetiake nuk paraqet asnjë lloj vlere. Në këtë rast rreziku kërcënues i përhapjes së armës bërthamore dhe terrorizmit bërthamor mund të jetë kolosal", u shpreh Hohllov. Bashkë me këtë Rusia del për realizimin në jetë të interesit të ligjshëm të shumë vendeve për zhvillimin e energjetikës bërthamore. Dhe kjo pozitë e saj në mënyrë organike kombinohet me politikën e mospërhapjes së armës së shfarosjes në masë. Kuptohet, se herët ose vonë "bollëkut të lëndëve hidrokarbure" do ti vijë fundi dhe atëhere lënda bërthamore mund të shndërrohet në burim dominues energjie. Autoritetet ruse po ndërmarrin hapa seriozë për zhvillimin e "atomit paqësor". Tashmë është nënshkruar marrëveshja me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (ANEA) mbi krijimin në Rusi të rezervës së sigurt, të garantuar të uraniumit të varfëruar. Në këtë mënyrë Moska jo vetëm që i garanton furnizimin e sigurt të lëndës bërthamore vendeve anëtare të organizatës, por dhe i shpëton vendet që nuk zotërojnë armë bërthamore nga tundimi për shndërrimin e burimit të energjisë në burim rreziku kërcënues.