Shkarko audiofailin

Moska, Ambasada e Republikës Polake, flamurët kombëtarë me shirita zie janë ulur në gjysëm shtize, në parapetet e gardhit të ambasadës janë vendosur lule, qirinj dhe pranë qendrojnë njerëz me koka të ulura e fytyra të trishtura. Dikush falet, të tjerë me lot në sy e zë të dridhur: "Unë jam një vajzë 19 vjeçare, studioj në Akademinë e Veterinarisë, kam lindur në Poloni. E kam shumë të vështirë të flas nga lëmshi që më mblidhet në grykë, - pranoi e reja. - Unë kam jetuar në Poloni në fëmijëri, ndërsa tani në Moskë. Në Poloni kanë jetuar prindërit e mi. Mamaja ime është ruse, kurse babai-polak. U shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta të gjithë atyre që humbën njerëzit e afërt në aviakatastrofën nën Smolensk".

Një vogëlush solli me vete një aeroplan të bërë prej letre, kurse gjyshja e tij-zambakë të bardhë të lidhur me shirit zie.

Një i ri doli nga automobili me një tufë trëndafilash të bardhë e të kuq dhe e vendosi atë pranë fotografisë së Presidentit polak Lech Kaczynski dhe bashkëshortes së tij Maria. "Mua më quajnë Andrei, - tha ai. Jam një i ri 28 vjeçar. Mendoj se kjo është një humbje jashtëzakonisht e madhe për popullin polak! E pashë se sa të hidhëruar janë të gjithë. Unë kam shumë të afërt dhe miq në Poloni. Mendoj se shpreh mendimin e përbashkët kur them: se ne, edhe rusët, edhe polakët duhet të jetojmë në paqe e miqësi me njëri tjetrin. Ne kemi një histori të përbashkët aspak të thjeshtë. Dhe ne jemi të destinuar për bashkëpunim dhe mirëkuptim midis nesh. Ja shembulli i gjallë kësaj: një det me lule dhe hidhërimi ynë i përbashkët për polakët që u bënë viktima të aviakatastrofës".

Një e re lutej aty pranë me zë të ulët... "Mua më quajnë Irina, jam aktualisht qytetare e Rusisë, por polake etnike me origjinë. Prandaj ndaj kësaj tragjedie, sigurisht, mbaj një qendrim tejet pesonal. Unë sot mora pjesë në shërbesën e përshpirtjes në tempullin katolik polak, gjatë së cilës kleriku me plot të drejtë tha, se ndoshta me të vërtetë ekzistojnë ndofarë forcash të errëta që përpiqen të ndajnë, të përçajnë popujt tanë. Sa e tmerrshme është që tragjedia u përsërit pas 70 vjetësh! Por unë mendoj, se megjithatë për njerëzit, edhe për rusët, edhe për polakët, gjëja më kryesore është që të perceptojnë vlerën e jetës njerëzore. Tragjedia neve na bashkon".

Një burrë i thyer në moshë luante në violinë pranë Ambasadës polake një melodi të trishtueshme të Shopenit...: "Unë jam një moskovit i moshuar rreth 70 vjeç, nuk munda të mos vija këtu për homazhe! - tha Levon Manukjan. Ushtroj profesionin e pedagogut-muzikant. Erdha këtu me thirrjen e shpirtit! Unë jam armen me origjinë. Por mendoj se hidhërimi nuk ka kufij kombëtarë! Prandaj bashkohem me të gjithë ata që nderojnë kujtimin e viktimave dhe dua të vendos një buqetë me lule tani në shenjë nderimi të kujtimit të të vrarëve".   

Një invalid me shkop në dorë, pensionist shikonte me vemendje fotografinë bardhë e zi të Presidentit të Polonisë dhe bashkëshortes së tij: "Nuk arrij të marr dot veten nga tronditja, është vështirë të perceptohet një mënzyrë e tillë. Mua bile më shkoi në mendje se kjo është punë e Djallit, - vuri në dukje ai. - Por, ndoshta, do të arrijnë ta zbardhin shkakun e tragjedisë "kutitë e zeza" të aeroplanit? Kjo ngjarje ishte një shok i vërtetë për të gjithë! Ne tani së bashku me polakët provojmë trishtim të thellë në lidhje me vdekjen e Presidentit të Polonisë dhe gjithë pasagjerëve të aeroplanit që u rrëzua për shkak të mjegullës jo larg Katinit. Duket sikur ka gisht në këtë rast diçka mistike. Mos është vallë vend i nëmur ky? Unë provoj dhimbje dhe hidhërim në shpirt. Ndodhi një fatkeqësi e tillë kaq e madhe. Pashë në TV se si i bëjnë nderimet e fundit polakët Presidentit të vet, bashkohem me dhimbjen e tyre, - tha Peter Ivanoviç, veterani i Luftës së Dytë Botërore".

Pranverë, ndriçon dielli, kurse sytë e njerëzve që kanë ardhur për homazhe janë të mbushur me lot. Vijnë vazhdimisht njerëz me lule dhe ndezin qirinj. Rusia mban zi së bashku me Poloninë. Në parapetet e mureve të Ambasadës polake në Moskë vunë buqeta me lule dhe ndezën qirinj edhe bashkëpunëtorët e radiokompanisë "Zëri i Rusisë".

Shiko galerinë fotografike