Në lidhje me 65 vjetorin e Fitores mbi Gjermaninë hitleriane në libraritë e Rusisë do të dalë romani i ri i shkrimtares Elena Çizhova me titull «Время женщин» ("Koha e grave"), i cili në dhjetor të vitit të kaluar u nderua me çmimin e prestigjshëm në fushën e letërsisë «Русский Букер» ("Bukeri rus"). Ky roman ka mishëruar në vetvete një numër të madh motivesh personale dhe kujtimesh të shkrimtares 50 vjeçare peterburgase. Bllokada 900 ditore fashiste e qytetit të lindjes së Elena Çizhovas, i cili në kohërat sovjetike quhej Leningrad, është një nga faqet faqet më tragjike të Luftës së Dytë Botërore. Mjafton të përmendim shifra të tilla: deri përpara  fillimit të intervencionit hitlerian në Bashkimin Sovjetik ky ishte një qytet me rreth 3 milionë banorë. Në shtator të vitit 1945 në Leningrad mbetën 1 milion e  240 mijë banorë. Heroina të romanit "Koha e grave" janë 3 gra të vjetra të vetmuara që përjetuan urinë e të ftohtit e bllokadës, bombardimet dhe zjarrin e artilerisë gjermane. Askush nga familjarët dhe të afërmit e tyre nuk mbeti gjallë. Dhe këto gra të moshuara fillojnë të merren me edukimin e një vajze të vogël - të bijës së fqinjes së tyre. Ato i kushtojnë kësaj detyre gjithë përvojën e jetës së vet, gjithë shpirtin, përfytyrimet e veta mbi drejtësinë, dinjitetin, të mirën e të keqen... Në intervistën e vet dhënë për radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Elena Çizhova ndau me ne përsiatjet mbi romanin "Koha e grave".

- Njerëzve që kanë lexuar romanin Tuaj iu krijua përshtypja sikur Ju tregoni në të për gra të cilat i keni njohur personalisht...

Elena Çizhova: "Unë ia kushtova romanin tim gjysheve të mia. Domethënë gjyshes sime nga ana e mamasë, e cila vdiq menjëherë pas bllokadës. Unë nuk e kam parrë kurrë atë, e kam njohur vetëm nga fotografitë. Kurse e dyta është stërgjyshja ime, e cila arriti të mbijetojë gjatë kohës së bllokadës dhe ndërroi jetë kur unë isha vajzë 16 vjeçare. Ja ajo dhe më rriti mua në fëmijëri. Tiparet e karakterit të saj unë i shfrytëzova kur nisa të shkruaj për tre gratë e moshuara të librit tim".

- Na duket sikur titulli i romanit Tuaj "Koha e grave" është universal për Rusinë...     

0 Elena Çizhova: "Kur i vura titullin këtij romani mendoja për shekullin e kaluar, për atë, se ky shekull u bë me të vërtetë kohë e grave. U vranë shumë burra e shumë burra - fillimisht në vitet e Luftës së Parë Botërore, pastaj gjatë revolucionit, luftës civile, represioneve monstruoze staliniane, nga uria, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Dhe, ja, gratë u përballuan një me një me jetën sepse atyre u duhej të rrisnin fëmijët, u duhej të hidhnin mbi kurrizin vet gjithë këto mundime. Unë mendoj, se shekullin e XX-të e shpëtuan kryesisht gratë. Prandaj dhe i dhashë një titull të tillë romanit tim".