Pjesëmarrësit e samitit të grupit të BRIK-ut, në të cilin hyjnë Brazili, Rusia, India dhe Kina, kanë ndërmend të diskutojnë planet për heqjen dorë nga dollari në tregtinë reciproke. Shumë ekspertë mendojnë, se ideja e refuzimit të dollarit është, thjesht, tentativë për ushtrim presioni mbi fuqitë kryesore botërore, por jo më tepër se kaq. Botimi "Njezavisimaja gazeta" shkruan, se mishërimi i kësaj ideje në jetë do të jetë tejet i vështirë. Ekonomitë e vendeve të BRIK-ut janë mjaft heterogjene, valutat e tyre kombëtare nuk janë të qendrueshme, për të mos thënë fare se nuk janë valuta lirisht të konvertueshme. Demonstrimi i synimeve serioze duhet për atë qëllim që të detyrohen SHBA-s, Bashkimi Europian, Japonia të marrin parasysh pozitat e vendeve të BRIK-ut përkatësisht formimit të sistemit financiar botëror të së ardhmes. Kurse në qoftë se puna do të shkojë deri tek aplikimi praktik i idesë, atëhere periudha përgatitore e Brazilit Rusisë, Indisë dhe Kinës për bërjen e llogarive të ndërsjellta me valutat e veta kombëtare në tregtinë midis tyre do të marrë nga 1 deri në 2 vite. Duhet kohë që bankat qendrore të vendeve të BRIK-ut të krijojnë rezervat e valutave të vendeve partnere si dhe që të fillojnë realizimin e tregtisë në bursa me BRL, RUB, INR, CNY. Kjo duhet të çojë në ndryshimin e strukturës së rezervave valutore dhe të arit në vendet e BRIK-ut. Por sido që të jetë valutat kryesore botërore do të mbizotërojnë megjithatë në rezervat e çdo vendi.

Artikulli i ditës dhe komentimi i tij

Planet për heqjen dorë nga dollari në tregtinë reciproke të vendeve të grupit të BRIK-ut i vlerësoi për radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Shefi i Degës së operacioneve të konvertimit të Bankës ING Aleksei Boriçev: "Gjithçka do të varet nga ajo se sa serioze do të jenë flukset tregtare midis këtyre vendeve. Dhe, sigurisht, sa më të shumta të jenë flukset, aq më i leverdisshëm do të jetë për këto vende shfrytëzimi i valutave kombëtare në llogaritë tregtare. Në parim, kjo gjë do të ndikojë negativisht në pozitat e dollarit, meqenëse dollari do të fillojë të humbasë vetitë e rezervës valutore. Kurse kjo mund të bëhet precedent, i cili do të demostrojë se këtë shembull mund ta ndjekin jo vetëm vendet e BRIK-ut, por edhe shtete të tjera, qarkullimi tregtar midis të cilave është i konsiderueshëm. Meqë ra fjala, kjo ide po diskutohet aktualisht në mënyrë mjaft serioze në Amerikën Latine. Me sa jam në dijeni unë, po zhvillohen shumë aktivisht negociatat në lidhje me këtë ide", tha Shefi i Degës së operacioneve të konvertimit të Bankës ING Aleksei Boriçev. Është mjaft interesant fakti, se Goldman Sachs - një nga bankat më të mëdha komerciale në botë - e vlerëson rublën si valutën më tërheqëse në një perspektivë afatshkurtër midis gjithë valutave të tjera të vendeve të BRIK-ut.