Në jetë gjithçka shkon në ndërlidhuri, përzihet - gëzimi dhe hidhërimi. 1 Prilli është Dita e të qeshurit, të vënit me dashamirësi në lojë të njerëzve që të rrethojnë, Dita e Budallait. Por pikërisht sot moskovitët nuk provojnë aspak dëshirën për t'iu dhënë shakave e gëzimit. Sot në Moskë po varrosin viktimat e aktit çnjerëzor terrorist që u krye në metronë e Moskës... Por, si i thonë fjalës, i gjalli me të gjallët! Dhe prandaj, thjesht, le të përsiatim mbi faktin se nga e mori fillesën e vet tradita e festimit të 1 Prillit. Për renditjen në vendin e parë të iniciatorit të kësaj feste mund të hahen midis tyre e të debatojnë francezët, anglezët, meksikanët, suedezët. Por le ti besojmë fjalës së Profesorit të periudhës Mesjetare të Universitetit George Washing Avery Andrews. Në vigjilje të festës ai plot autoritet u deklaroi gazetarëve, se "fajtor" i saj është megjithatë një francez. Ndërsa konkretisht mbreti Charles i IX-të , i cili me dekretin e vet e zhvendosi kremtimin e Vitit të Ri nga 1 Prilli në 1 Janar. Disave kjo gjë nuk u erdhi aspak për mide dhe ata refuzonin në mënyrë kategorike dhe me këmbëngulje të plotësonin vullnetin e mbretit. "Refuzuesit" si përfundim i quajtën "budallenjtë e 1 prillit" dhe filluan ti venë në lojë në gjithëfarë mënyrash. Për shembull, u dërgonin ftesa për pjesëmarrje gjoja në mbrëmjen e Vitit të Ri në 1 prill dhe kur ata, të veshur e të pispillosur mbërrinin në destinacionin e caktuar me ta fillonin të talleshin, ti vinin në lojë e të qeshnin me gjithë shpirt. Kjo festë mori shumë shpejt përhapje të gjerë në gjithë planetin. Me që ra fjala, në Rusi shakatë e lidhura me 1 Prillin filluan të bëhen traditë pas asaj, kur njëherë banorët e Peterburgut i ngriti me vërtik nga krevati këmbana e alarmit. Zakonisht, në kohërat e shkuara, me të rënat e kësaj këmbane lajmërohej për rënie zjarri, raste këto që nuk ishin të rralla në qytetet ruse. Me një fjalë, shaka fort e tepruar kjo... Vunë në lojë aktorët e trupës gjermane bile dhe vetë Carin rus, Petrin e Parë! Së bashku me publikun ai erdhi për të parë shfaqjen e tyre kur pa në skenë në vend të aktorëve pllakatin me fjalët. "1 Prilli". Cari, siç thotë legjenda, nuk u zemërua aspak, vetëm se gjatë largimit nga teatri murmuriti nëpër dhëmbë "Sjellje e shpenguar komediantësh". E qeshura është ilaç efektiv për rritjes e jetëgjatësisë së njeriut. Vetëm se ne, në Rusi, do ti lëmë për më vonë, për vitin tjetër shakatë e lidhura me festën gazmore të 1 Prillit. Për arsye që tashmë dihen fort mirë...