Shkarko audiofailin


0  Në kryeqytetin e Olimpiadës së ardhshme të Bardhë mbërritën nga Vankuveri flamurët Olimpik dhe Paralimpik dhe u ngritën në sheshin kryesor të qytetit rus Soçi. "Pas 4 vjetësh ne duhet të demonstrojmë se dimë të fitojmë", - deklaroi në ceremoninë e ngritjes së flamurëve olimpikë Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev: "Unë jam thellësisht i bindur, ne mund ti provojmë gjithë botës, se ajo zgjedhje që u bë në Guatemalë, nuk ishte ashtu krejt e rastësishme. Ajo demonstron forcën dhe potencialin e vendit tonë, dëshirën tonë për të fituar. Ne do të bëjmë gjithçka të mundur me qëllim që Olimpiada e vitit 2014 në Soçi të bëhet një nga evenimentet më mbresëlënëse të këtij mijëvjeçari. Po sot në Soçi, në mbledhjen e Këshillit për sportin Presidenti analizoi shkaqet e dështimit të skuadrës përfaqësuese të Rusisë në Olimpiadën në Vankuver. "Shfrytëzimi jo efektiv i mjeteve të caktuara dhe mangësitë e sistemit të përgatitjes së sportistëve u bënë shkaqe të mossuksesit të Rusisë në Olimpiadë si dhe sistemi ekzistues i përgatitjes së rezervës sportive", - tha Presidenti. Dorëheqje të pritshme të bujshme të zyrtarëve sportivë nuk pati. Në fakt, që përpara zhvillimit të mbledhjes në fjalë deklaruan për largimin nga postet e veta Presidenti i Komitetit Olimpik të vendit Leonid Tjagaçov dhe 7 drejtues të federatave sportive. "Përgatitja e sportistëve rusë për Lojrat e vitit 2014 është për ne detyrë tejet aktuale", - deklaroi Dimitri Medvediev. Në ditët tona vetë qyteti Soçi dhe periferitë e tij përfaqësojnë në vetevete një kantier të madh ndërtimi ku vlon puna natë e ditë. Ritmet e ngritjes së infrastrukturës dhe stadiumeve habitën bile edhe komisionin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, i cili e ka vizituar Soçin mëse një herë. Dhe në qoftë se ndërtimet olimpike nuk do ti pengojë asgjë, atëhere, siç dhe u premtua, të gjitha stadiumet do të përfundohen tashmë që në vitin 2012. Ndërsa kjo do të thotë, se rusët do të kenë baza të reja sportive për stërvitje dhe se do tu krijohen më tepër shanse për të arritur rezultate të shkëlqyera në Olimpiadën e vitit 2014 në Soçi.