0Urali është një rajon krejtësisht unikal. Ai shërben si kufi ndarës midis Europës dhe Azisë, midis pjesëve perëndimore dhe lindore të Rusisë. Dhe ky kufi, duhet thënë, është mjaft impresionues. Sistemi malor i Uralit shtrihet në në një gjatësi prej më tepër se 2 mijë kilometrash nga veriu në jug dhe me gjerësi nga 40 deri në 150 kilometra. Kjo kreshtë malesh është me të vërtetë shtylla vertebrale e vendit. Kurse pika më e lartë e saj është mali Narodnaja (Popullore) me lartësi 1895 metra.

Shumëllojshmëria e natyrës së sistemit malor të Uralit habit dhe kënaq çdo udhëtar. Këtu mund të shikosh pejzazhe të mrekullueshme pyjesh, stepash, tundre dhe bile akullnajash malore. Ky rajon është krijuar posaçërisht për adhuruesit e natyrës dhe aventurave, sepse në këtë rajon ka male dhe shpella, lumenj e liqene, pyje dhe vendburime, shtresa dhe grumbuj gurësh. Në Ural ka shumë vende të habitshme, të mrekullueshme dhe bile misterioze. Për shembull, rrafshnalta në rezervatin e Peçoro-Illiçskut: atje 7 shtylla guri me lartësi nga 30 e deri në 80 metra kanë ngrirë si gjigandë të frikshëm në mbrojtje të kësaj tokë.

Një vend me bukuri të paparë është pllaja Kvarkush me ujvarat e Zhigillanit. Ajo ndodhet 100 kilometra në perëndim të qytetit Severouralsk. Në këtë pllajë, sipas mendimit të shumë udhëtarëve, ndodhet kanioni i maleve të Uralit.

Në qoftë se udhëtarit do ti buzëqeshë fati, ai mund të shikojë jo vetëm bimë të rralla, por edhe kafshë të tilla si qelbësi, sorkadhja, hermelini (një lloj kunadheje) dhe baldosa.

Në Uralin Verior në rezervatin Basegi ndeshen lloje mjaft të rralla dhe endemike bimësh e kafshësh. Muajt më të ftohtë në këtë rajon janë janari dhe shkurti, kur temperatura mesatare arrin deri në -17 gradë C. Por ka ndodhur që temperatura e ajrit është ulur bile edhe deri në -49 gradë. Kurse muaji më i ngrohtë është korriku me temperaturë mesatare +15 gradë C. Por Urali megjithatë do ta mahnisë e do ta bëjë për vete udhëtarin pavarësisht nga stina e vitit.

Shiko galerinë fotografike