22 mars

Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS)

Në Gjermani, në drejtim të Danzigut, trupat sovjetike duke përballuar rezistencën këmbëngulëse të kundërshtarit me luftime të ashpra zunë disa pika banimi. Gjermanët duke u hedhur në kundërsulm të mbështetur me zjarr të fuqishëm artilerie e minahedhësish edhe nga anijet luftarake përpiqen të mos lejojnë avancimin e njësive sovjetike drejt brigjeve të gjirit të Danzigut.

Gjithnjë e më shpesh ushtarët dhe oficerët gjermanë me grupe të tëra hedhin armët e dorëzohen. Trupat sovjetike vazhdojnë të shtypin vatrat e fundit të rezistencës dhe të përfundojnë shpartallimin e grupit të rrethuar prej tyre të forcave gjermane. Vendet e luftimeve janë të mbushura, të shtruara me kufomat e hitlerianëve. Gjatë zhvillimit të betejave të ashpra janë likuiduar qindra armatime artilerie, minahedhës dhe armë të tjera të armikut.

Nga letra e Josif Stalinit drejtuar Presidentit të SHBA-s Franklin D. Roosevelt:

"Ish robërit ushtarakë amerikanë të çliruar nga Ushtria e Kuqe ndodhen në kampet sovjetike dhe mbahen në kushte të mira. Të paktën, në kushte shumë më të mira se sa ish robërit sovjetike në kampet amerikane, ku ata u vendosën pjesërisht së bashku me robërit gjermanë të luftës. Disa prej tyre i janë nënshtruar një qendrimi të krejtësisht të padrejtë, kufizimeve e shtrëngimeve të paligjshme, bile deri tek rrahjet, gjë për të cilën i është njoftuar mëse një herë Qeverisë Amerikane".

Aleatët:

Po atë ditë gjenerali amerikan Patton do të shkruajë në ditarin e vet si vijon:

"Sulmi i shpejtuar për marrjen e Renit u realizua pa kurrfarë vonesash: ne, thjesht, ndryshuam drejtimin e avancimit të dy divizioneve drejt lindjes, në një kohë kur njësitë e tjera të dy korparmatave vazhdonin ofensivën në jug. Një manovër e tillë i bëri gjermanët të humbasin toruan. Ata menduan se ne nuk kemi ndërmend të kalojnë lumin Ren në këtë sektor. Ideja dhe qëllimi i këtij operacioni u realizuan në mënyrë të shkëlqyer në jetë".

Historia në detaje:

Çmimi më i lartë i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike - Hero i Bashkimit Sovjetik - u themelua më 16 prill të vitit 1934. Ky titull nderi jepej për vepër heroike ose për merita të veçanta gjatë kohës së veprimeve luftarake. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore Yllin e Artë e merituan 11 mijë e 635 ushtarë dhe oficerë. Midis Heronjve të Bashkimit Sovjetik janë dhe më tepër se 20 shtetas të huaj. Ndër ta janë edhe pilotët e regjimentit "Normandia-Neman" dhe komandanti i njësisë partizane çekosllovake Jan Nalepka.