Kompania "Rosneft" nuk ka kurrfarë ndalimesh mbi pagesat në dollarë amerikanë për realizimin e eksporteve të veta. Njoftime të tilla janë ose trillim i ndokujt, ose dezinformacion i planifikuar që më parë, thuhet në deklaratën e kompanisë. Në vigjilje Agjencia "Reuters" njoftoi, se kompania e madhe ruse e naftës mund të përballet me ndërprerje të eksportit të naftës për shkak të vendimeve të marra nga gjykatat e SHBA-s dhe Britanisë së Madhe, të cilat bëjnë faktikisht të pamundur realizimin e pagesave në adresë të kompanisë me dollarë amerikanë. Si shkas për marrjen e vendimeve shërbyen pretendimet financiare të shprehura nga ana e një prej konkurrenteve të saj të mëparshme në Rusi - kompanisë "JUKOS", asetet e së cilës me shumë prej rreth 400 milionë dollarësh iu dorëzuan në kohën e vet kompanisë "Rosneft". Në fakt, pretendime të kësaj natyre perceptohen nga një shumicë e madhe si tejet të dyshimta. Kështu, gjykata e New York-ut mori vendimin mbi mungesën e kompetencës për shqyrtimin nga ajo të çështjes në fjalë, meqenëse i vetmi argument për ta njohur juridiksionin e saj mund të bëhet prezenca e aseteve të kompanisë "Rosneft" në këtë shtet. Dhe në qoftë se asete të tilla nuk do të gjenden brenda 60 ditëve, atëhere padia e aksionerëve të kompanisë "JUKOS" do të hidhet poshtë. Përsa i përket gjykatës londineze në lidhje me marrjen e vendimit për konfiskimin e një pjese të pasurisë së "Rosneft" në territoret e Anglisë dhe Uellsit, në kompani mendojnë, se ajo nuk ka kurrfarë argumentesh e arsyesh për këtë. Gjatë kësaj vihet në dukje, se shuma e pasurisë së konfiskuar nuk është fort e qenësishme për veprimtarinë komerciale të "Rosneftit". Por sido që të jetë puna, një situatë e tillë e papërcaktuar nuk mund të ruhet për një kohë të gjatë. Ja se ç'tha në intervistën e vet dhënë radiokompanisë "Zëri i Rusisë" analisti i kompanisë "Arbat Kapital" Vitali Gromadin: "Mendoj, se në ditët e afërta kjo çështje do të gjejë me siguri zgjidhje. Së pari, stafi i menazhimit të kompanisë "Rosneft" do të vendosë se ç'të bëjë në situatën  e krijuar. Do të merret vendim, sigurisht, edhe në ndonjë nivel të caktuar politik. Prandaj ose "Rosneft" do të humbasë 400 milionë dollarë, ose do të tentojë si përfundim ta kundërshtojë vendimin në gjyq. Dhe, ndoshta, këto 400 milionë dollarë do ti kthehen asaj", tha analisti i kompanisë "Arbat Kapital" Vitali Gromadin. Por sido që të jetë puna, sipas mendimit të ekspertëve, situata e krijuar nuk do të mund të minojë kurrsesi biznesin e "Rosneftit". Aktualisht kompania është një ndër lojtaret më të mëdha në tregun botëror të naftës. Rrjedhimisht, çfarëdolloj kufizimesh të aktivitetit të "Rosneftit" do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi konsumatorët. Sepse marrja artificiale nga tregu botëror e vëllimeve të tilla kaq të mëdha të lëndëve hidrokarbure do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme dhe shumë të shpejtë në rritjen e theksuar të çmimeve të tyre.