Një ditë përpara vizitës së Kryeministrit të Rusisë Vladimir Putin në Bjellorusi Presidenti i vendit Aleksandër Llukashenko papritur u nis për në Venezuelë. Atje ai  i kërkoi Ugo Çavesit mbrojtje nga Moska. Dhe ky i fundit ia ofroi atë me shumë dëshirë e gatishmëri. Siç shkruan botimi "Kommersant", Karakasi premtoi ti furnizojë Minskut 80 mijë fuçi nafte në ditë, vëllim ky të cilin Bjellorusia kërcënohet ta përdorë në vend të naftës ruse për furnizimin e uzinave të veta të përpunimit të naftës. Ekspertët janë mëse të bindur, se miqësia e naftës me Venezuelën e largët zor se do ta ndihmojë seriozisht Bjellorusinë dhe se rezultat i këtij demarshi mund të bëhet, si përfundim, shpërthimi i një konflikti të ri midis Moskës dhe Minskut. Problemet e radhës midis tyre u ashpërsuan për të satën herë me radhë në dhjetor të vitit të kaluar, kurse në janar gati sa nuk çuan në pezullimin e eksportit të naftës ruse. Konflikti u kurorëzua me arritjen e marrëveshjes midis nënkryeministrave të të dy vendeve, sipas së cilës gjatë vitit në vazhdim Rusia do ti furnizojë naftë Bjellorusisë me tarifë 100 %-she doganore, me përjashtim të disa milionë tonë nafte, të cilat mbulojnë nevojat e brendshme konsumatore të vendit. Por Minsku ngul këmbë për anulimin e tarifës që nga korriku, kur të fillojë të veprojë marrëveshja për furnizimet e lëndës hidrokarbure në kuadrin e Bashkimit Doganor .

Në Rusi do të krijohet analogia e Luginës së famshme Silikone amerikane, shkruan botimi "Rossiskaja gazeta". Fjala e re "inovacione" hyri shumë shpejt në përdorim të gjerë. Shteti ka ndërmarrë mëse një herë përpjekje për lançimin në vend të konvejerit inovativ. Si model për aplikim u zgjodh shembulli i vendeve të zhvilluara kryesore. Atje përpunimet dhe shpikjet e shkencëtarëve aplikohen me sukses, shndërrohen në mall në parqe teknike të krijuara posaçërisht për këtë qëllim, në qendra transferimi teknologjish, në zona  të veçanta ekonomike. Por, ç'është për të ardhur keq, në Rusi u bë e pamundur përsëritja, aplikimi i kësaj përvoje. Dhe, ja, tani po ndërmerret një përpjekje e re. A ka vallë shans për atë që kësaj here çdo gjë të shkojë me sukses dhe të krijohet "Qyteti i Diellit" dhe jo "Ishulli i fantazive"? Këtu specialistët janë të një mendimi unanim: shumë gjëra do të varen nga ajo, nëse do të jetë e mundur të tërhiqet, të ndillet në këtë sferë biznesi rus. Tani për tani ai i ka anashkaluar inovacionet, për vetë faktin se ato, thjesht, nuk i duheshin atij. Dhe puna nuk qëndron vetëm në atë, se vendi është shumë i pasur me lëndë të parë. Shkaku i kësaj është shumë më i thellë: në vend nuk ka konkurrencë, pothuajse gjithkund drejtojnë monopolet dhe po ato diktojnë edhe rregullat e lojës në ekonomi. Ndërsa në qoftë se do të nevojiten teknologjitë e reja, është më e thjeshtë që ato të blihen jashtë shtetit, se sa të shtrohet e gjithë rruga e prodhimit të tyre duke investuar mjete financiare në përpunimet shkencore vendase.

Rritja ekonomike për vitin në vazhdim mund të rezultojë dy herë më e madhe se parashikimi dhe të arrijë 6 %. Por deri në vitin 2018 nuk përjashtohet edhe një krizë e re, për të cilën duhet të përgatitemi mirë, njofton botimi "Vedomosti" me referim tek Zëvendës ministri i zhvillimit ekonomik. Për Rusinë "të përgatitet mirë" do të thotë para së gjithash të përcaktohen prioritetet e politikës ekonomike ose me ato sociale ose me ato industriale. Nga një zgjedhje e tillë varen perspektivat e daljes nga kriza. Skenari social propozon reduktimin e pjesëmarrjes së shtetit në ekonomi dhe investimet buxhetore në kapitalin njerëzor: rritjen e pensioneve, pagave, stimulimin e investimeve private, mbështetjen e biznesit të vogël. Skenaret e modernizimit industrial kanë nevojë për masa sociale jo fort të njohura-kufizimin e të ardhurave nga pensionet dhe rritja e moshës së daljes në pension, megjithëse shteti për një variant të tillë investon në infrastrukturë, shkencë, në prodhimin e teknologjive të larta. Atëherë industria do të mundë të rrisë aftësinë konkuruese, që garanton ritme të larta të zhvillimit ekonomik.