Zëri i Rusisë  

Nuk dihet nëse ndodhi kjo rastësisht apo jo, por mbledhja e ministrave të  financave të BE në Bruksel, praktikisht, përkoi në kohë me deklaratën e bujshme të radhës të Presidentit çek Václav Klaus. Këto ditë ai deklaroi publikisht si vijon: "Sot Bashkimi Europian po përjeton krizën më të thellë në gjithë historinë e ekzistencës së vet. Liritë qytetare dhe ekonomike ndodhen nën rrezik kërcënues. Nën maskimin e sloganit të luftës kundër krizës ekonomike po vjen duke u forcuar tendenca e rregullimit të përgjithshëm"...Sigurisht, edhe mund të lihej pa vemendje "e shtëna sllovene" e Václav Klausit në drejtim të Brukselit, por situata e mbarsur me krizë i jep fjalëve të tij një kuptim të veçantë, - mendon Drejtuesi i qendrës së studimeve të integrimit europian të Akademisë së Shkencave të Rusisë Jurij Borko: "Pikëpamja e Václav Klausit njihet prej kohësh. Ai është një ndër kundërshtarët më të egër të centralizimit, domethënë dorëzimit të të gjitha plotëfuqishmërive të mëdha në duart e Bashkimit Europian. Por ekziston realiteti objektiv. Këto vende hyjnë në hapësirën e përbashkët ekonomike, në të cilën qarkullojnë kapitalet, mallrat, investimet, njerëzit. Dhe njëfarë lloj aparati rregullues, i cili të mos lejojë lindjen e kaosit, është thjesht i domosdoshëm. Po ç'aparat? Çdo njeri e përfytyron atë sipas mënyrës së vet, sepse ekzistojnë, të themi, Çekia dhe Portugalia, Britania e Madhe dhe Rumania, e kështu me radhë... Këto vende ndryshojnë nga njëri tjetri në shumë gjëra: niveli i jetesës, standartet sociale, politika tatimore, buxhetore, dhe, mentaliteti, në fund të fundit. Dhe, ja, po vazhdon lufta e pafund midis centralizimit dhe mbrojtjes së sovranitetit kombëtar, gjë kjo që, meqë ra fjala, formulohet mjaft qartë nga Václav Klaus. BE ndodhet në krizë gjatë gjithë këtyre 6 viteve të fundit. Aktualisht 10 shteteve të Bashkimit Europian i kërcënohet defollti. Ato janë, në fakt, në prag të falimentimit. Prandaj duhet vepruar shumë shpejt dhe në mënyrë të koordinuar, me forca të bashkuara. Po ç'vërejmë ne në realitet? Ministrat e financave në Bruksel nuk arritën dot të merren vesh bile as për problemin e hedge-fondeve për shkak të pozitës së Britanisë së Madhe. Si të bashkërenditen interesat e 27 anëtarëve të Bashkimit Europian? Sipas mendimit tim, ai, thjesht, është i destinuar për tu ndeshur me probleme permanente: ekonomike, industriale, ligjore, sociale, politike. Ato do ta mundojnë, torturojnë gjithmonë BE! Po përse ta lësh veten të "torturohesh"? Mos ndoshta do të ishte më mirë, siç mendojnë disa analistë, të bëhej një ndarje, të themi, në dy pjesë kompakte? Ose të përjashtohen "hallkat e dobëta", për shembull, po ajo Greqi? Me sa duket, një gjë të tillë e propozon si masë të skajshme Berlini... "Ato do të rezistojnë deri në fund, vetëm po nuk plasi ndonjë krizë e dytë globale më e fortë se kjo e tanishme. Dalja nga hapësira e përbashkët ekonomike është vdekjeprurëse për ekuilibrin delikat të shpërndarjes së plotëfuqishmërive midis shteteve dhe instituteve të BE. Jam mëse i bindur, se në samitin e afërt "mendjet e ndritura" të BE do të shpikin masa të reja për dhënien e mbështetjes "hallkës së dobët". Po ç'masa do të jenë këto? Vetë koha do ta tregojë...", konkludon Drejtuesi i qendrës së studimeve të integrimit europian të Akademisë së Shkencave të Rusisë Jurij Borko.