German Sterlingov. Njeri me dhunti të rrallë mistifikimi. Kurrë nuk mund të thuhet me siguri të plotë se ku është e vërteta, thelbi i tij dhe ku - piari personal. Gjatë zhvillimit të fushatës së vet paraelektorale ai ngjiti gjithkund parrullën: "Zyra funerale e vëllezërve Sterligovë", e cila në realitet nuk ekzistonte. Në moshën 23 vjeçare, gjatë kohës së Perestrojkës, ai u bë një nga multimilionerët e parë në Rusi. Fillimisht organizonte koncerte në stacionet e trenave, ofronte shërbime juridike. Më pas themeloi një nga bursat e para ruse të shkëmbimit të mallrave dhe materialeve të papërpunuara "Alisa", të quajtur për nder të qenushit të vet. Me qëllim që të mos paguante tatime llogaritjet i bënte në njësi të trilluara monetare -"aliska". Mbarte në kokë idenë e krijimit të ligjeve të veta, ushtrisë dhe gjykatës së tij.

Shumë shpejt punët filluan ti shkojnë jashtëzakonisht mbarë. Familja e tij u bë zotëruese e një prone luksoze jashtë shtetit, e automobilave të klasit luks, në zonën më të prestigjshme të Moskës të quajtur Rubljovskoje shose (autostrada Rubljovskoje) ai ndërtoi një rezidencë të madhe me kupolë xhami. Pas kësaj vendosi t'ia hyjë karrierës politike. Ka paraqitur kandidaturën e vet për në postin e guveratorit të krahinës së Krasnodarit dhe për kryetar bashkie në Moskë. Është përpjekur të kandidojë për në postin e presidentit të Rusisë. Dhe të gjitha këto tentativa të tij përfunduan pa sukses. Pasuria ia la vendin borxheve në jetën e tij. Sterligov shiti pasurinë elitare dhe u zhvendos me banim në thellësi të periferive të Moskës, në vendin ku dikur ishte fshati në të cilin pat lindur dhe qe rritur e ëma. Nisi të merret me blegtori. Në kartvizitën e tij u duk mbishkrimi: "German Sterligov - rritës delesh, rritës patash dhe lepujsh".

Ai deri tani vazhdon të mbetet i pikëlluar për shkak se nuk mundi të gjente ndihmësa të denjë për veten. "Populli rus tashmë nuk ekziston më, - thotë sipërmarrësi. - Kanë mbetur vetëm telespektatorët". Në lokalitetin e tij nuk ka jo vetëm energji elektrike dhe rrugë automobilistike, por as televizor. Thonë, se përpara se të largohej nga Moska ai shtiu principialisht mbi televozorin e vet me revolver.

Sterligov aktualisht është patriot i bindur monarkist orthodhoks. Baba i 5 fëmijëve. Shprehet, se gruaja e cila dëshiron të bëjë abort, duhet ti nënshtrohet torturave e mundimeve maksimale, të pamëshirshme. E quan Lev Tolstoin idiot dhe të pafe, kurse letërsinë klasike ruse - "mut që na çoi ne deri në katastrofë, shpërbërje dhe shkatërrim të brendshëm".

Ky njeri, i cili kishte më parë përfaqësinë e vet në Wall Street dhe kështjellë në Burgundy, tani konfirmon me bindje të plotë, se qytetet duhet të zhduken ashtu siç likuidoheshin fshatrat në kohën e industrializimit. Por në biznes ai megjithatë u rikthye sërish. Themeloi Qendrën antikrizë - instrumentin për shkëmbimin e mallrave pa shfrytëzimin e parave. Ideja i kushtoi atij 15 milionë euro nga kursimet personale. Kurse tani ai po përpiqet me të gjitha mënyrat të promovojë idenë e njohjes së arit si ekuivalent universal. Në punë mund të vijë papritur e pakujtuar i veshur si kozakët e përrallave ruso, me shpatë dhe kësulë gjenerali në kokë. Punonjësit e tij i përulen me nderim dhe shprehen me gëzim: "Zotëria erdhi!"