Zëri i Rusisë  Fizikani i famshëm rus, Laureati i çmimit Nobel Zhores Allfiorov kremton jubileun e vet 80 vjeçar. Zhores Allfiorov është autor i 50 shpikjeve, 500 punimeve shkencore dhe 80 tregimeve artistike. Pavarësisht nga mosha e vet, Allfiorov vazhdon të merret aktivisht me shkencë dhe veprimtari mësimdhënieje. Në historinë e Rusisë së re ky është Laureati i parë i Çmimit Nobel në fushën e shkencës. Zhores Allfjorov u nderua me këtë çmim në vitin 2000 për "punën e bërë për përftimin e strukturave gjysëmpërçuese, të cilat mund të shfrytëzohen për kompjuterat super të shpejtë". Të gjithë telefonat celularë kanë në strukturën e vet të ashtuquajturët gjysëm përçues heterostrukturorë që u shpikën nga fizikanti rus. Ndërsa pa "lazerin e Allfjorovit" do të ishte bërë i pamundur përdorimi i CD-ve në të gjitha pajisjet e teknikës bashkëkohore. Shpikjet dhe zbulimet e tij, të cilat numërojnë rreth 500 të tilla, shfrytëzohen edhe në konceptin e dritave të automobilave, semaforëve, dekoderat e çmimeve të mallrave të ndryshme e kështu me radhë. Zhores Allfjorov lindi më 15 mars të vitit 1930 në Vitebsk, në territorin e Bjellorusisë së tanishme. Prindërit e tij, komunistë të bindur, e quajtën djalin e tyre të madh Marks (në moshën 20 vjeçare ai u vra në luftë, në kohën e betejës nën Kursk), ndërsa të voglin-Zhores, për nder të themeluesit të Partisë Socialiste franceze. Babai i tij ka qenë drejtor i uzinave të ndryshme ushtarake dhe familja e shkencëtarit të ardhshëm ka shtegtuar vazhdimisht nga një qytet në tjetrin. Pasi mbaroi me Medalje të Artë shkollën në Minsk, Zhores Allfjorov vazhdoi studimet e larta në Institutin Elektroteknik në Leningrad (aktualisht Shën Peterburg). "Ai ishte njeri shumë i këndshëm, mjaft interesant, i gjallë", kujtojnë miqtë e tij. Veçanërisht ai është i apasionuar pas të kënduarit. Vërtet, vesh për muzikë ai nuk ka fare, por megjithatë këndon gjithmonë me zë të lartë dhe e çon patjetër këngën deri në fund". Vetë Zhores Allfjorov një pjesë të parave të fituara nga Çmimi Nobel e dha për zhvillimin e Qendrës arsimoro-shkencore në Peterburg, ku krijoi njëfarëlloj "fidanishte për të rinjtë e talentuar". Fati i mëtejshëm i vendit nuk ndodhet në duart e oligarkëve, por rinisë së talentuar, ndonjërit prej nxënësve të mi të tanishëm", shprehet me bindje të plotë akademiku. Veprimtarinë e vet shkencore, e cila i solli atij shumë dekorata e çmime ndërkombëtare, Allfjorov e alternon me punën shoqërore. Ai është deputet i parlamentit rus, ku u zgjodh herën e fundit mbi bazë të listës së Partisë Komuniste të Federatës Ruse, është Nënpresident aktual i Akademisë së Shkencave të Rusisë. Parim të patundur të jetës së vet Zhores Allfjorov ka bërë sentencën e heroit të librit të shkrimtarit shumë të njohur rus Kaverin, e cila tingëllon në këtë mënyrë: "Të luftosh e të kërkosh, të gjesh e mos dorëzohesh". Në ditët e sotme, duke ndërtuar sistemin e kërkimit e zbulimit të talenteve të reja në fushën e shkencës, ai lufton, pikë për pikë sipas fjalëve të tij, "me ato pengesa të tmerrshme që krijojnë burrokratët jo largpamës, me mentalitet të mykur". Laureatit të Çmimit Nobel i përket autorësia e aforizmit: "Ne jemi vend i optimistëve, sepse të gjithë pesimistët tashmë e kanë braktisur prej kohësh atë".

Shiko galerinë fotografike