Shërbimi Federal Doganor (SHFD) publikoi projektin e ligjit mbi rregullimin doganor në Federatën Ruse. Siç shkruan botimi "Rossijskaja gazeta", në një kohë të afërt dokumenti do ti drejtohet për shqyrtim qeverisë. SHFD i Rusisë ka ndërmend të fillojë të krijojë disa baza të dhënash (database), për shembull, të përfaqësuesve doganorë, transportuesve, pronarëve të depove të ruajtjes së përkohshme, depove doganore, dyqaneve që tregtojnë pa taksë doganore (duty-free). Kanë gjetur pasqyrim në projekt ligjin në fjalë edhe të drejtat e organeve doganore ruse. Në rast shkeljeje të rregullave strukturat ruse mund të marrin masa, të parashikuara jo vetëm nga legjislacioni i Bashkimit Doganor në të cilin hyjnë në një radhë me Rusinë edhe Bjellorusia e Kazakistani, por edhe nga ligji i ri rus federal doganor, Kodi i Kundërvajtjeve administrative. Siç vë në dukje botimi, ligji i veçantë rus është i domosdoshëm me qëllim që jo vetëm të përshtatet legjislacioni kombëtar me Kodin unik Doganor të Bashkimit Doganor, por edhe që të rregullohen ato sfera veprimtarie dhe veçori që nuk janë përfshirë akoma nga kodi i përgjithshëm i Bashkimit. Gjatë kësaj edhe shtetet e tjera - anëtare të Bashkimit Doganor - Bjellorusia dhe Kazakistani - do të kenë gjithashtu legjislacionet doganore kombëtare. Po në ç'mënyrë do të bashkëekzistojnë dallimet ligjore dhe si po avancon aktualisht krijimi i Hapësirës Unike Ekonomike?

Komentimi i artikullit të ditës

Ja se ç'thotë në lidhje me këtë Andrei Grozin, Shefi i sektorit të Azisë Qendrore të Institutit të vendeve të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura: "Bashkimi Doganor duhet të bëhet në perspektivë hapësirë unike valutore, kufijtë e së cilës do të zgjerohen në mënyrë të qenësishme. Është e qartë, se në rast se në 1 janar të vitit 2012, siç parashikohet, tre vendet do të arrijnë të lançojnë formatin e ri të hapësirës unike ekonomike, atëhere hap i logjikshëm i radhës do të bëhet krijimi i bashkimit valutor. Por para se të realizohet në jetë kjo risi është e domosdoshme të zhvillohen një sërë aktivitetesh përgatitore kohëgjata. Më kryesori prej tyre është krijimi i hapësirës unike doganore. Nuk është sekret për askënd, se legjislacionet doganore të vendeve tona janë krejtësisht diverse. Kjo ka të bëjë edhe me tarifat doganore në veçanti, edhe me politikën doganore në tërësi. Rusia ndodhet gjeografikisht në udhëkryqin e rrugëve kyesore të transportimit të mallrave që shkojnë nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas, duke qenë njëkohësisht edhe konsumatore, edhe një ndër transportueset kryesore botërore. Sigurisht, që nga mesi i këtij viti, kur do të "fshihen" kufijtë doganorë midis Rusisë dhe Bjellorusisë, ndërsa pas një viti edhe midis Rusisë dhe Kazakistanit, do të duhet të zhvillohet një punë jashtëzakonisht e madhe për bashkërenditjen e legjislacioneve tona. Por duhet bërë kjo gjë me marrjen parasysh të interesave reciproke", tha Andrei Grozin, Shefi i sektorit të Azisë Qendrore të Institutit të vendeve të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Fakti, se Moska, Astanaja dhe Minsku po ndërmarrin hapa për barazimin e marrëdhënieve të ndërsjellta ekonomike në kuadrin e Bashkimit Doganor, dëshmon fare qartë se tek elitat e vendeve tona ekziston të kuptuarit e domosdoshmërisë së integrimit ekonomik, mendon eksperti. Çështjet që mbeten tani për tani ende të pazgjidhura, të hapura janë të karakterit, thjesht, teknik dhe do të gjejnë zgjidhje në një kohë të afërt. Më kyesorja është se strategjia tashmë u përcaktua dhe se asnjë nga vendet-pjesëmarrëse të Bashkimit nuk ka ndërmend ta refuzojë atë.