U mbushën plot 25 vjet që nga dita kur më 11 mars të vitit 1985 Mihaill Gorbaçov u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. U krye riorganizim në udhëheqjen e Partisë dhe atë të vendit, filloi Perestrojka. Mbi atë, se si vlerësohen sot rezultatet e këtyre ndryshimeve, Nikollai Jellkin zhvilloi një bisedë telefonike me politologun gjerman Aleksandër Rar, njërin nga ekspertët e njohur dhe të autoritetshëm për Rusinë dhe vendet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP): "Në mars të vitit 1985 për të gjithë, edhe në udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik, edhe për vëzhguesit në Perëndim u bë më se e qartë, se në pamjen e vet të vjetër Bashkimi Sovjetik nuk mund të ekzistonte më. Problemet ekonomike ishin gjigande. Bashkimi Sovjetik e humbi garën e armatimeve me SHBA-s. Çmimet e naftës ishin mjaft të ulëta, prandaj vendi nuk fitonte asgjë nga shitjet e naftës dhe gazit. U bë mëse e qartë, se udhëheqja e Bashkimit Sovjetik ishte vjetëruar. Vetë elita e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik ishte e etur për një lider tjetër, të ri, i cili dhe u bë Gorbaçovi. Nuk e di se çfarë qëllimesh shtroi përpara vetes atëherë vetë Gorbaçovi. Ai ka folur mjaft për këtë, ka shkruar shumë, por mendoj megjithatë, se ai nuk i ka treguar deri në fund të gjitha ende. Mua më duket, se në ato vite ai në radhë të parë dëshironte të reformonte Bashkimin Sovjetik dhe Partinë Komuniste. Ai e shihte veten si trashëgimtar të Leninit, donte të korrektonte politikën e Brezhnjevit, të distancohej nga totalitarizmi i Stalinit, por njëkohësisht as që mendonte ta shpërbënte Bashkimin Sovjetik. Ai mendonte se mund ta ndërtonte socializmin jo vetëm në vendin e vet, por edhe në Europën Lindore në një nivel më të lartë cilësor. Gjatë 4 viteve ai u përpoq nëpërmjet skemave të tilla politike, si Perestrojka dhe Glasnosti, të mobilizonte masat e gjera, të mobilizonte elitën. Dhe me ndihmën e Perëndimit, i cili i mbështeti këto reforma, të ndryshonte Bashkimin Sovjetik duke e shndërruar atë në një shtet më human dhe më demokratik. Natyrisht ai nuk mendonte se Bashkimi Sovjetik mund të shpërbëhej ose të shndërrohej në një pjesë të Perëndimit. Në Rusi ndaj Gorbaçovit nuk ka qëndrim të njëkuptimshëm... Duke marrë parasysh të gjitha ato ndryshime, të cilat ndodhën në botë, çfarë politikani i duket ai tani politologut gjerman Aleksandër Rar?: "Gorbaçovi, thjesht, as që e perceptonte dot se çfarë barre kishte hedhur mbi supet e veta. Ai donte të zhvillonte reforma të caktuara. Ato arriti ti realizojë vetëm pjesërisht, sepse një masë e madhe e tyre dështuan. Dhe në fund të fundit ai e humbi perandorinë. Bashkimi Sovjetik u shpërbë mu përpara syve të tij. Natyrisht, shumë në Rusi nuk do t'ia falin kurrë këtë gjë atij. Por mbase pas 10 vjetësh, 20, apo ndoshta 50 vjetësh njerëzit do të kujtojnë, se pikërisht Gorbaçovi ishte ai politikan, i cili për herë të parë gjatë shekullit të fundit u dha lirinë rusëve. Unë mendoj se si të tillë dhe do ta kujtojnë atë. Në Rusi ai aktualisht gëzon një imazh negativ, sepse janë akoma si shumë të freskëta në kujtesë katastrofat ekonomike dhe shkatërrimi i viteve 90-të. Duhet pranuar se edhe Gorbaçovi, dhe Jelcini gjatë zhvillimit të reformave radikale nga lart dhe aplikimit të eksperiencën perëndimore në Rusi, shpesh herë linin në harresë popullin, shtresat e pambrojtura nga ana sociale të popullsisë, të cilat kishin nevojë për mbështetje shtetërore, bënin eksperimente ekonomike me vendin. Për këtë ata iu nënshtruan kritikës me plot të drejtë. E tillë ishte ajo kohë. Por, si përfundim, historia do ta vlerësojë pozitivisht Gorbaçovin, i cili ishte i detyruar të shkatërronte sistemin e vjetër totalitar dhe të çlironte popullin nga zgjedha e komunizmit. I tillë dhe do të mbetet në kujtesë ai", tha në përfundim politologu gjerman, eksperti i autoritetshëm për Rusinë dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura Aleksandër Rar.