Shkarko audiofailin


0 Pavarësisht nga fakti se Greqia tani për tani nuk planifikon të drejtohet për ndihmë financiare jashtë kufijve të vet me qëllim të daljes nga situata tejet e ndërlikuar ekonomike në të cilën ndodhet tani, Kryeministri i Greqisë Georgios Papandreou këto ditë po kryen mjaft aktivisht vizita në BE dhe SHBA-s. Kolegët e tij të huaj i mbështesin aktivisht masat antikrizë të qeverisë së vendit. Por druajtjet përkatësisht të ardhmes së eurozonës në lidhje me krizën greke tani për tani nuk janë eliminuar ende. Në momentet aktuale Kreu i Bankës Qendrore Europiane Jean Claude Trichet e quan të "pavend" dhënien e kredisë Greqisë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke marrë parasysh borxhin ekzistues jashtëzakonisht të madh të saj. Në këtë rast lind natyrshëm pyetja: a ka vallë shans aktualisht Greqia t'ia dalë punës mbanë me forcat e veta dhe çfarë çmimi do ti duhet asaj të paguajë për këtë? Ja se ç'thotë në lidhje me këtë Vlladisllav Bjellov, Drejtori i Qendrës së studimeve gjermane të Institutit të Europës të Akademisë së Shkencave të Rusisë: "Në rast se Greqia do të ndjekë rrugën e ristrukturimit, shëndoshjes (parandalimit të falimentimit dhe shëndoshjes financiare), atëhere mund të shqyrtohen edhe çështjet që kanë të bëjnë me dhënien e ndihmës financiare asaj nga ana e vendeve të tjera. Jo krejt rastësisht këto ditë edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, edhe ministri i financave i Gjermanisë Wolfgang Schäuble shprehin idenë e krijimit të Fondit Monetar Europian, i cili të mund ti japë në të ardhmen ndihmë vendeve të tilla si Greqia, pra shteteve që ndodhen në stad krize të thellë ekonomike. Përsa i përket fjalëve që dëgjohen mbi shitjen e mundshme të aseteve greke: ishujve, vlerave kulturore e kështu me radhë... për shlyerjen e borxheve, unë nuk mendoj se ky propozim është i justifikuar. Në këtë rast është më tepër i mundshëm praktikimi i qiradhënies afatgjatë, dhënia e përkohshme për shfrytëzim e objekteve me qëllim përfitimi mjetesh të caktuara financiare. Kurse shitja direkte është masë e pakuptimtë ekonomike, meqenëse ajo nuk i zgjidh dot problemet që qendrojnë aktualisht përpara qeverisë greke. Jam mëse i bindur, se qeveria e Greqisë ka më shumë mundësi të ndërmarrë hapin e rritjes së borxhit të jashtëm, ndër të tjera edhe për llogari të dhënies asaj të kredive nga vendet kryesore anëtare të eurozonës, se sa të pajtohet me shitjen e territorit të vet. Është e rëndësishme të kuptohet, se në qoftë se shteti nuk ndërmerr hapa për shëndoshjen e financave shtetërore, atëhere kurrfarë mjetesh që derdhen në arkën e tij nuk do të mund të zgjidhin problemet me të cilat ndeshet ai. Vërtet, aktualisht për të gjitha vendet e Bashkimit Europian situata në Greqi është shembull mjaft i spikatur dhe mësimdhënës i asaj, se sa e rëndësishme është politika kompetente financiare, e orientuar jo për zgjidhjen e detyrave afatshkurtra, por për zhvillimin afatgjatë të vendit. Para së gjithash në përputhje me ato detyra që shtron përpara tij edhe globalizimi, edhe specifika rajonale, edhe sigurisht, qëllimet kombëtare.