Blic-vizita e Presidentit të ri të Ukrainës në Moskë, pavarësisht nga formati i saj i reduktuar, kishte megjithatë statusin e vizitës zyrtare. Viktor Janukoviç erdhi në kryeqytetin rus për të folur për gjënë më të rëndësishme. Erdhi me besimin e patundur se marrëdhëniet midis dy vendeve mund dhe duhet të ndryshojnë në mënyrë të theksuar, rrënjësore. Problemet që duhej të diskutonin presidentët Dimitri Medvediev dhe Viktor Janukoviç për një ditë jo të plotë ishin të shumta. Një nga çështjet më të rëndësishme për Ukrainën është çmimi për gazin natyror rus. Kievi do të dëshironte të paguante një çmim gati 1/3 më të ulët se ai aktual. "Gazprom-i" rus, vetëkuptohet, se nuk është aspak i interesuar për këtë. Prandaj udhëheqjes së re ukrainase do ti duhet të propozojë ndonjë gjë tjetër në këmbim të kësaj. Sigurisht, Ukraina mund të jetë partnere e volitshme në të gjitha projektet energjetike dhe transportuese, që lidhin Rusinë dhe Bashkimin Europian. Por kjo është e pamjaftueshme. Duhet përfshirë një spektër më i gjerë mosmarrëveshjesh që janë grumbulluar për këto vitet e fundit midis dy shteteve. Mbi divergjencat ekzistuese më evidente tregoi në intervistën e vet dhënë radiokompanisë "Zëri i Rusisë" Drejtori i përgjithshëm i Qendrës për studimin e hapësirës postsovjetike Aleksei Vllasov: "Në veçanti, fati i Flotës ruse të Detit të Zi. Janukoviç mund ta lërë për më vonë diskutimin e kësaj teme, meqenëse afati i qendrimit të Flotës në gadishullin e Krimesë përfundon në vitin 2017, ndërsa ky afat del jashtë kufijve të kohës së qendrimit të tij në postin e presidentit. Por megjithatë duket fare qartë, se sa më shpejt që të zgjidhen problemet që kanë të bëjnë me Flotën, aq më të qetë dhe më të sigurt do ta ndjejë veten Moska për nga pikëpamja e gjeopolitikës së rajonit të Detit të Zi. Ndërsa ky faktor është jo pak i rëndësishëm. Ndoshta mund të shtrohet për zgjidhje gjithashtu edhe çështja e interesave të biznesit rus në Ukrainë. Mbi privilegjet, kushtet favorizuese që mund të përfitojnë kompanitë ruse që cilat shfaqin interesim të gjallë ndaj problemeve të tregut ukrainas. Dhe ç'ka është mëse evidente - çështja mbi eliminimin e tensionit në lidhje me të ashtuquajturit "luftëtarë historikë" dhe në perspektivë - zgjidhja e problemit mbi statusin e gjuhës ruse", tha ai. Sipas përfundimeve të negociatave Viktor Janukoviç premtoi të rregullojë çështjen që ka të bëjë me heroizimin e bashkëpunëtorëve, këlyshëve të fashizmit. Dhe premtoi ta bëjë këtë tashmë që para festimit të 65 vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike. Duam t'ju kujtojmë, se gjatë drejtimit të udhëheqjes paraardhëse të Ukrainës, titullin e heronjve të saj e merituan drejtuesi i Organizatës së nacionalistëve ukrainas Stepan Bandera dhe një tjetër këlysh nazist - Roman Shuheviç. Po në atë konferencë të përbashkët për shtyp Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev deklaroi, se konsultimet në lidhje me qendrimin e Flotës ruse të Detit të Zi në Krime do të vazhdojnë. Përveç kësaj, qeverive të të dy vendeve iu ngarkua detyra që të diskutojnë bashkëpunimin në sferën energjetike dhe jo vetëm në sferën e gazit.