Rusia del për krijimin e komisionit ndërkombëtar për likuidimin e prodhimit të drogës në Afganistan. Siç shkruan botimi "Rossijskaja gazeta", Drejtori i Shërbimit Federal për kontrollin ndaj trafikimit të narkotikëve Viktor Ivanov kritikoi përpjekjet e ndërmarra prej partnerëve perëndimorë në luftën kundër narkotrafikut afgan. OKB është distacuar në shumë gjëra nga kjo punë duke ia dorëzuar këtë detyrë NATO-s, kurse natovianët ia ngarkuan gjithë përgjegjësinë për luftën kundër prodhimit të drogës në Afganistan mbi supe autoriteteve lokale të këtij vendi. Gjatë vitit të kaluar ndodhi një rënie e theksuar e ndalimit të karvaneve të trafikimit të drogës. Njëkohësisht ra edhe numri i arrestimeve të trafikantëve të drogës. Kjo, në fakt, dhe çoi në rezultate negative si në sferën e luftës kundër narkotikëve, ashtu dhe në çështjet e veprimtarisë paqeruajtëse, zgjidhja e të cilave është e pamundur pa zhdukjen e pamëshirshme, tejet të rreptë dhe në vijueshmëri të vetë prodhimit të drogës. Ivanov mendon, se refuzimi i SHBA-s për likuidimin e të mbjellave të lulekuqes në Afganistan çon në mënyrë të drejtpëdrejtë në keqësimin e situatës me narkotikët në Rusi. Veçanërisht kjo ka të bëjë me rajonin e Kaukazit të Veriut, ku vëllimi i prurjes së drogës u rrit deri në 8 herë.

Komentimi i artikullit të ditës

Kreu i Fondit "Narkopolitika e re" Lev Levinson propozon rishikimin rrënjësor të qendrimeve ndaj problemit të narkotrafikut: "A nuk do të ishte punë më e mirë, më e drejtë dhe më rezultative që ato para që shfrytëzohen për luftën kundër narkotikëve të investohen në prodhuesit e heroinës afgane, domethënë, në fshatarët afganë, për stimulimin e heqjes dorë prej tyre nga pjesëmarrja në narkobiznes. Në parim, ata nuk marrin ndofarë të ardhurash fort të mëdha nga kultivimi i lulekuqes së opiumit. Prodhimi i opiumit nuk është tani për tani për fshatarët fort i rrezikshëm. Është vështirë të thuhet në këto momente se ç'shuma do të nevojiten në nivel ndërkombëtar për forcimin e luftës kundër narkotrafikut. Por duke gjykuar me mendje të kthjellët arrin të kuptosh, se riorientimi i prodhuesve të opiumit në ndonjë produkt tjetër nuk duhet të kërkojë shuma astronomike. Në qoftë se nuk do të ndryshojë politika  tradicionale ndaj këtij problemi, atëhere s'do të ketë fare rëndësi se kush do të marrë në duar timonin e luftës kundër drogës, se kush do të kryesojë komisionin e ri. Por Rusia, sigurisht, duhet të përfaqësohet në të në shkallë të konsiderueshme", - deklaroi Kreu i Fondit "Narkopolitika e re" Lev Levinson.