Shkarko audiofailin


0  40 vjet më parë hyri në fuqi një nga dokumentet themelorë ndërkombëtarë, bazë në sferën e çarmatimit - Traktati mbi mospërhapjen e armës bërthamore. Ai u nënshkrua në vitin 1970, disa vite pas krizës së Karaibeve, që vuri nën rrezik kërcënues ekzistencën e gjithë njerëzimit. Fillimisht në këtë Traktat hynë Bashkimi Sovjetik, SHBA-s, Kina, Britania e Madhe dhe Franca, që zotëronin në atë kohë armë bërthamore. Me këtë hap ato i përforcuan zyrtarisht vetes statusin e fuqive bërthamore. Përpara tyre shtrohej detyra - të pengonin zhvillimin e teknologjive bërthamore dhe të mos ua jepnin ato vendeve të treta. Në perspektivë dokumenti filloi të ndiqte edhe një qëllim tjetër - likuidimin e të gjitha rezervave të armëve bërthamore në planet. Por, ç'është për të ardhur keq, këto plane nuk janë realizuar deri tani në jetë. Gjatë kohës së veprimit të Traktatit në fjalë në të hynë pothuajse 190 shtete. Vetëm 3 shtete shpallën për mosbashkimin me të: Izraeli, Pakistani dhe India. Ndërsa disa vite më parë nga Traktati doli Koreja e Veriut. Bashkë me këtë, sipas vlerësimeve të ndryshme, edhe më tepër se 30 vende - nënshkruese të Traktatit mbi mospërhapjen e armës bërthamore - po zhvillojnë punime në sferën e prodhimit të armës bërthamore. Në mënyrë më të mprehtë perceptohen në botë programet bërthamore të Koresë së Veriut dhe Iranit , të cilat deklarojnë, po ashtu si dhe të gjitha vendet që janë në "prag" të krijimit të armës bërthamore, mbi qëllimet paqësore të përpunimeve të tyre në këtë sferë. E megjithatë Traktati, në tërësi, duhet thënë se e plotëson detyrën e vet, mendon Shefi i degës për problemet e çarmatimit të Institutit të Ekonomisë ndërkombëtare dhe Marrëdhënieve ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Rusisë Aleksandër Pikajev: "Problemet kryesore janë të lidhura me synimin e shteteve jobërthamore për të zotëruar armën bërthamore. Shembull i tillë i fundit u bë Koreja e Veriut. Ekzistojnë druajtje reale se edhe shtete të tjera do të ndjekin shembullin e saj. Këtu shqetësime të caktuara shkakton Irani. Si dhe në rastin me RPD të Koresë, Rusia është pjesëmarrëse e procesit të shumanshëm diplomatik, i cili drejtohet për moslejimin e zotërimit nga Irani të armës bërthamore. Problem kryesor për Traktatin mbi mospërhapjen e armës bërthamore mbetet ai, se po i njëjti proces - pasurimi i uraniumit - mund të shfrytëzohet si për qëllime paqësore, ashtu dhe ushtarake. Bota ndodhet përpara dilemës. Nga njëra anë, Traktati mbi mospërhapjen e armës bërthamore është dokumenti kryesor që frenon tirazhimin e teknologjive bërthamore. Nga ana tjetër, qeveritë e dhjetra vendeve e quajnë më të arsyeshme për tu mbështetur në çështjet që kanë të bëjnë me garantimin e sigurimit në potencialin e vet bërthamor. Dhe, me sa duket nga të gjitha, në një perspektivë të afërt nuk do të arrihet dot ndryshimi radikal i kësaj tendence. Megjithëse për këtë qëllim po ndërmerren përpjekje të jashtëzakonshme, ndër të tjera, edhe nga fuqitë e mëdha bërthamore.