0Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev përfundon sot vizitën e vet shtetërore në Francë. Aktivitete pune në kryeqytetin francez sot për liderin rus nuk janë planifikuar, por protokolli kërkon zhvillimin e ceremonisë zyrtare - atë të përcjelljes së Kryetarit të shtetit, e cila do të zhvillohet në aeroport përpara fluturimit. Gjatë vizitës, e cila filloi më 1 mars, Medvediev zhvilloi negociata të detajuara me Presidentin e Francës Nikola Sarkozi. Sipas përfundimeve të tyre u nënshkruan një sërë dokumentesh, kurse liderët treguan mbi temat kryesore të bisedës në konferencën e mbajtur për shtyp. Përveç kësaj, Kryetari i shtetit rus zhvilloi negociata edhe me Kryeministrin Francois Fillon si dhe u takua me udhëheqësit e të dyja dhomave të parlamentit francez. Duke respektuar protokollin e vizitës shtetërore Medvediev u takua edhe me Kryebashkiakun e Parisit, mori fjalën në Hotel de ville si dhe vendosi një kurorë me lule tek Varri i Ushtarit të Panjohur pranë Harkut të Triumfit. Kryetari i shtetit rus bisedoi gjithashtu me përfaqësuesit e biznes qarqeve ruse dhe franceze. Përveç kësaj, një nga aktivitetet qendrore të vizitës u bë pjesëmarrja në ceremoninë e hapjes së ekspozitës "Светая Русь" ("Rusia e Shenjtë") në Louvre, në të cilën mori pjesë gjithashtu edhe Nikola Sarkozi. Ky aktivitet i dha  start zyrtar Vitit të "shkëmbimeve të ndërsjellta kulturore" Rusi dhe Francë. Dita e dytë e vizitës përfundoi me një drekë shtetërore që u dha në emër të Presidentit të Francës për nder të Dimitri Medvedievit dhe bashkëshortes së tij.