Siç shkruan gazeta "Vremia novostei", ndërkohë që udhëheqësit e "Gazprom-it" dhe GDF Suez, në prani të presidentëve të dy vendeve, përkatësisht Dimitri Medvediev dhe Nikola Sarkozi, nënshkruan në kryeqytetin e Francës një memorandum jashtëzakonisht të rëndësishëm mbi bashkëpunimin, monopolisti sllovak i gazit SPP ngriti padi në Gjykatën e Arbitrazhit të Dhomës Tregtare Ndërkombëtare të Parisit ndaj kompanisë ruse "Gazprom eksport" me kërkesën për kompensimin asaj të humbjeve që pësoi nga "lufta e gazit", e cila u iniciua prej udhëheqjes së mëparshme ukrainase. Si rezultat i saj një sërë vendesh të Europës provuan deficit të qenësishëm të "lëndës së kaltër djegëse". Të dhëna të sakta mbi vëllimin e kompensimit nuk ka tani për tani, por siç u bë e qartë, vetë padia qe paraqitur që në muajin dhjetor. Për 14 ditët e fillimit të vitit të kaluar, gjatë të cilave u pezullua transiti i gazit rus nëpërmjet territorit të Ukrainës, monopolisti sllovak i gazit SPP mori mangët rreth 400 milionë metra kub gaz. Furnizimi i konsumatorëve në regjim situate të jashtëzakonshme u realizua për llogari të rezervave vetiake që ruheshin ne depot e SPP dhe për llogari të furnizimeve emergjente nga aksionerët e huaj. Mbledhja e radhës e grupit të negociatorëve të "Gazprom-it" dhe SPP do të zhvillohet javën e ardhshme. Gazi në Sllovaki nuk shkon direkt, por nëpërmjet ndërmjetësve - bullgar dhe gjerman. Ndër të tjera, padia e ngritur nga sllovakët nuk bën aspak figurë të mirë në momentin e forcimit të miqësisë ruso-franceze të gazit, kur GDF Suez tashmë ka hyrë me një këmbë në projektin e gazjellësit "Nord Stream" dhe u bë një ndër partnerët e parë europianë, i cili në periudhën e rënies së kërkesës për gazin rus në Europë shpalli mbi synimin  e vet për të rritur vëllimet e gazit sipas kontratave.

Komentimi i artikullit të ditës

Drejtori i Institutit të energjetikës kombëtare Sergei Pravosudov

0 mendon, se shfaqje pretendimesh ndaj "Gazprom-it" nuk mund të ketë në kurrfarë mënyre: "Gazprom" konfirmon, se pezullimi i furnizimeve të gazit nuk ndodhi për faj të tij, por për faj të palës ukrainase. Dhe kjo kualifikohet si "force majeure" (forcë madhore). Ajo gjen pasqyrim praktikisht në çdo kontratë dhe rasti i sipërpërmendur i përket pikërisht kësaj situate. Kur sipas përfundimeve të vitit të kaluar u bënë llogaritë mbi bazë të furnizimeve të gazit, u morr parasysh parimi i njohur "merr ose paguaj". Domethënë, ekziston një vëllim minimal gazi, për të cilin duhet paguar megjithatë, bile edhe në qoftë se gazi nuk është marrë. Sepse ai mund të merret vitin tjetër. Ja, pra, disa vende europiane - dhe "Gazmprom-i" duhet thënë se u doli përpara atyre - nuk e llogaritën pikërisht atë gaz të pafurnizuar për faj të Ukrainës gjatë "luftës së gazit" në janar të vitit të kaluar. Të gjitha u justifikuan me "force majeure" (forcë madhore). Prandaj unë nuk mendoj, se Sllovakia do të arrijë ndofarë rezultatesh serioze me padinë e vet", deklaroi Drejtori i Institutit të energjetikës kombëtare Sergei Pravosudov. Procesi i arbitrazhit ndërkombëtar është punë e gjatë dhe mjaft e kushtueshme për të dyja palët dhe mundësia e rregullimit të këtij konflikti para gjyqit mbetet e madhe.