Shkarko audiofailin


0  Europianët mund të studiojnë që këtej e tutje gjuhën ruse, si i thonë fjalës, "mbi rrota". Tani për tani këtë mundësi e kanë vetëm banorët e Berlinit dhe landit Federal Brandenburg, që rrethon kryeqytetin e Gjermanisë. Nëpër rrugët e tyre  qarkullon automjeti i quajtur "Russomobil". Por në një kohë të afërt mini shkolla të tilla të gjuhës ruse do të duken edhe në vende të tjera europiane. "Fondi "Bota ruse" - organizatori i këtij projekti - shpreson shumë se metoda, mënyra e pazakontë e popullarizimit të gjuhës ruse do ti tërheqë, do të ngjallë interes të veçantë tek europianët, në radhë të parë, midis rinisë. Mësimdhënia "me rrota" ka specifikën e vet, tregon Drejtori i programeve europiane të Fondit Aleksei Gromiko: "Kjo mësimdhënie zhvillohet gjithmonë me gjithfarë materialesh të pazakonta, vizuale. Pedagogët, si rregull, janë gjithashtu fare të rinj në moshë, megjithëse janë bërë tashmë profesionistë të vërtetë në punën e  vet. Ne vendosëm të shfrytëzojmë përvojën pozitive të "Frankomobilit" gjatë lançimit të projektit "Russomobil". Pikërisht këtë vit projekti duhet të hyjë në fazën e realizimit praktik dhe me këtë procesi i popullarizimit të gjuhës e kulturës ruse dhe duhet të fillojë. Kjo do të bëhet me anë të një automobili, të përshtatur posaçërisht për pedagogët, i cili mund të transportojë një vëllim të konsiderueshëm literature mësimore, materiale vizuale demonstrimi që do të nevojiten gjatë punës me nxënësit. Interesi i shfaqur ndaj projektit nga ana e nxënësve gjermanë dhe pedagogëve të gjuhës ruse është jashtëzakonisht i madh. Tashmë është krijuar një radhë  e gjatë për porositjen e "Russomobilit" nga 20 shkolla dhe gjimnaze gjermane. Megjithëse ceremonia solemne e startimit të aksionit në fjalë është caktuar në prill, përfaqësuesit rusë kanë vizituar tashmë në mënyrë të rrufeshme shumë institucione mësimore të qytetit. Pas kësaj ata arritën në konkluzionin, se nxënësit iu gëzuan shumë njohjes me ne: ata me kënaqësi të madhe morrën pjesë në mini-kurset e gjuhës ruse dhe konkurset e ndryshme, viktorinat, u njohën me alfabetin rus, me kërshëri të madhe shfletuan revistat ruse dhe hartat gjeografike, provuan gjellët tradicionale të kuzhinës ruse, dëgjuan këngët popullore ruse. Sipas mendimit të prindërve dhe mësuesve të tyre, aktivitete të tilla japin një rezultat të dukshëm: kjo gjë i nxit shumë nxënës për të studjuar gjuhën e Pushkinit dhe Tolstoit. Në qoftë se përvoja gjermane do të dalë e suksesshme, atëhere Fondi "Bota ruse" ka ndërmend ta përhapë atë edhe në vende të tjera. Për më tepër se në mbarë botën, sqaron Drejtuesi i Fondit "Bota ruse" Aleksei Gromiko, studimi i gjuhëve të huaja në formë loje gëzon një popullaritet jashtëzakonisht të madh.