"Brezat e ardhshëm do ta quajnë shekullin e XIX-të "periudhë të Schumannit". Kështu mendonte Pjotër Çaikovskij, njëri nga adhuruesit më të flaktë të romantikut të shquar gjerman Robert Schumann. Këtë vit do të mbushen plot 200 vjet që nga dita e lindjes së kompozitorit famoz. Kjo datë do të kremtohet më 8 qershor, por muzikantët e Rusisë tashmë po fillojnë ta kremtojnë këtë jubile. Më 28 në Moskë do të zhvillohet koncerti i startit: "Dedikim Robert Schumann-it". Programi i parë jubilar ka sintetizuar në vetëvete dy vepra të mëdha të Schumannit. Koncerti për violonçel që është një vepër jashtëzakonisht e preferuar për adhuruesit e muzikës dhe tingëllon shpesh nëpër skena dhe opusi i tij i vonshëm që tingëllon më rrallë: Requiem. Iniciator i këtij kombinimi të pazakontë është violinisti dhe dirigjenti i njohur Aleksandër Rudin. Në koncert ai do të dalë edhe si solist, edhe si drejtues i orkestrës "Muzica viva". Në intervistën e vet dhënë për radiokompaninë "Zëri i Rusisë" maestro pranoi, se Schumann është një nga kompozitorët më të dashur për të, veçanërisht si autor i veprave orkestrale dhe oratorio: "E adhuroj prej kohësh Schumannin, dhe duhet thënë, që nga vitet e rinisë, - shprehet Aleksandër Rudin. - Figura e këtij kompozitori ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht e afërt për mua. Muzika e tij ma ka drithëruar përherë shpirtin. Schumann, si askusht tjetër, ndoshta, ndër gjithë romantikët e tjerë europianë, ushtroi ndikimin e vet në zhvillimin e muzikës ruse, - vazhdon Aleksandër Rudin. - Ndikoi në krijimtarinë e Çajkovskit, të muzikantëve të kohërave më të hershme, dhe më të vonshme. Dihet tashmë fort mirë, p. sh., se edhe në krijimtarinë e kompozitorëve të quajtur «Могучая кучка» ("Moguçaja kuçka" ose Rrethi i Ballakirjevit, apo Shkolla e re muzikore ruse - bashkim krijues ky i kompozitorëve rusë: Mili Aleksandroviç Ballakirjev (ideatori dhe drejtuesi i tij), Aleksandër Borodin, Cezar Kjui, Modest Musorgskij, Nikollai Rimski-Korsakov, që u krijua në fund të viteve 1850 në fillin të viteve 1860), edhe në atë të Sergei Rahmaninovit ka shumë ndikim të Schumannit, qoftë ky edhe në formë të përpunuar me nuanca të theksuara individuale. Me Robert Schumannin publiku rus u njoh për herë të parë në vitin 1844, kur kompozitori erdhi në Perandorinë Ruse për të shoqëruar bashkëshorten e vet, pianisten e famshme Klara Schumann gjatë turneut të saj të gjatë në Moskë dhe Shën Peterburg. Në atë kohë Schumanni kishte krijuar kryeveprat e veta të tilla, si për shembull, ciklet për pianoforte "Karnavali", "12 etyde simfonike" dhe "Kreisleriana". Robert Schumannin e pritën në Moskë me nderime të mëdha dhe mjaft ngrohtë. Dhe këtu ai gjeti jo pak miq besnikë dhe entuziastë të vërtetë të krijimtarisë së vet, të cilët filluan jo vetëm të interpretonin veprat e tij, por edhe ti botonin ato. Dhe duhet thënë, të botonin jo vetëm opuset muzikore, por edhe ato letrare. Midis tyre mund të përmendim, në veçanti, edhe librin e shkruar nga Schumann "Rregullat jetësore të muzikantit", i cili u botua në Rusi. Përkthyes i tij ishte vetë Pjotër Çajkovskij. Në këtë libër të dobishëm edhe sot e kësaj dite çdo muzikant mund të gjejë për veten udhëzime e këshilla tejet aktuale. Për shembull një të tillë: "Kur të arrish në një moshë më të pjekur, mos luaj asgjë të modës. Koha është mjaft e shtrenjtë (koha është flori). Duhet të kesh 100 jetë njerëzore që të mund të njihesh vetëm me gjithçka më të mirë që ekziston në këtë botë".