Dimitri Medvediev zhvilloi një takim me përfaqësuesit e biznesit të vogël dhe të mesëm në të cilin tregoi për reduktimin e barrierave administrative. Gazeta "Moskovskij komsomolec" shkruan, se Presidenti shpalli mbi zbutjen e përgjegjësisë penale për krimet ekonomike që nuk kanë lidhje me ushtrimin e dhunës. U propozua vendosja e një garancie financiare për krimet penale jo fort të rënda prej 100 mijë rublash (2.450 euro), kurse për krimet e rënda-prej 500 mijë rublash (12.200 euro). Si garanci mund të shërbejë edhe pasuria e patundshme,  aksionet dhe obligacionet. Ky projekt ligj së shpejti do të paraqitet për shqyrtim në Dumën Shtetërore. Masat përkatëse do të shërbejnë për dekriminalizimin e shoqërisë, do të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit dhe  përmirësimin e klimës së investimeve, shprehet me bindje ai.

Botimi "Vedomosti" përmend deklaratën e bërë nga Kryeministri Vladimir Putin mbi atë, se tregu i banesave ka nevojë për mbështetje, prandaj interesi për hipotekën nuk duhet ti kalojë të 11 %. Sipas mendimit të Putinit, kjo gjë do të zgjerojë rrethin e pjesëmarrësve të hipotekës. Bankave u jepet për kreditimin hipotekor një ndihmë financiare prej 250 miliardë rublash. "Kjo në një shkallë të caktuar është ndihmë artificiale, para artificiale, u shpreh Kryeministri. Por ne duhet ta "nxehim" pak tregun, megjithëse edhe "tejnxehje" nuk duhet të lejojmë". Ndërkaq, pjesëmarrësit e tregut e venë në dyshim atë, se qytetarët dhe ndërtuesit do të mund ta shfrytëzojnë në një kohë të shpejtë këtë program. Pjesa më e madhe e parave, si mendojnë ata, do të shkojë për rifinancimin e kredive tashmë të dhëna, kurse në tregun e ndërtimeve të reja kjo masë parash do të hyjë në mënyrë graduale, të ngadaltë. E megjithatë, vë në dukje botimi "Vedomosti", në programin e mbështetjes parashikohet edhe një kufizim: ai do të veprojë vetëm për kreditë e dhëna jo më parë se korriku i vitit të kaluar.

Gjykata Kushtetuese mori vendimin, sipas të cilit vendimet e Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut në lidhje me ankesat e paditë e rusëve për shkeljet e të drejtave të tyre në mosmarrëveshjet civile do të bëhen bazë për rishikimin e tyre. Siç shkruan gazeta "Vremja novostei", tani për tani nuk dihet me saktësi, se kur ky vendim i gjykatave kushtetuese ruse do të bëhet i detyrueshëm për zbatim. Shteti e ka për detyrë jo vetëm ti paguajë kompensime personit, shkelja e të drejtave të të cilit është pranuar nga Gjykata Europiane, por edhe të garantojë, aq sa të jetë e mundur, rivendosjen e plotë të të drejtave të shkelura, ndër të tjera edhe ndaj personave të tjerë, të cilët mund të ndodhen në pozitëne denoncuesit. Në këtë mënyrë është eliminuar konflikti juridik, që i lejon gjykatat të injorojnë verdiktet e nxjerra nga Gjykata e Strasburgut, kurse shtetit që tu bëjë bisht pagimeve të kompensimeve në të holla. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut gjithashtu mendojnë, se vendimi përkatës ka rëndësi të madhe dhe se do të ketë jo vetëm pasoja juridike që shkojnë larg, por edhe politike, vë në dukje botimi "Vremja novostei".