Marka e njohur në mbarë botën e kristalit rus lindi në vitin 1765, kur pranë lumit Gus (shqip-patok) - ku duhet thënë se vërtet ka patur shumë pata - të provincës së Vladimirskut reshperët Malcovë filluan ndërtimin e manifakturës për prodhimin e xhamit. Aktualisht uzina në qytetin e quajtur Gus-Hrustalnij (Patoku i Kristaltë) është një nga ndërmarrjet më të mëdha në Rusi që merret me prodhimin e xhamit artistik dhe sendeve prej kristali.

Ky qytet hyn gjithashtu në të famshmen Unazë e Artë e Rusisë - gjerdani i çmuar i qyteteve të lashtë në të cilët janë ruajtur momumente unikale kulturore dhe arkitekturale. Qyteti Gus-Hrustalnij është laureat i çmimit ndërkombëtar "Merkuri i Artë", i cili jepet për ruajtjen me përkushtim të imazhit historik dhe arkitektural.

Uzina e prodhimit të kristalit ndodhet në pjesën jugore, më të moçme të qytetit. Reparti i shkrirjes së kristalit ngjason me një amfiteatër antik, por me një skenë të rrumbullakët të ngritur mbi bazament mu në qendër të tij. Në të ndodhet një furrë e shumë e madhe nga dyert e së cilës shpërthejnë vrullshëm herë pas here gjuhëza flake. Brenda në këtë furrë ndodhet lava përvëluese pa formë, që do të shndërrohet më pas në mrekulli kristali kumbues.

Shumë pak gjëra kanë ndryshuar në ditët tona në teknologjinë e moçme të prodhimit të xhamit dhe kristalit. Instrumente kryesore të qelqfryrësit (glassblower) sot, po ashtu si dhe në kohërat e moçme, janë dara dhe tubi për fryrjen e xhamit. Lëvizjet e tij janë të llogaritura dhe preçize, si në një kërcim të lashtë ritual. Me të vërtetë, në këtë profesion kërkohet nga mjeshtri forcë e madhe fizike dhe zotësi. Nga lava përvëluese në sytë tuaj lind diçka e ftohtë dhe transparente si akull.

Në repartet e tjera kallëpin, modelin e gatshëm dhe të ftohur e lëmojnë, e gdhendin me faqe, e skalisin dhe në qoftë se është e nevojshme e zbukurojnë me bojëra. Të gjitha këto procese mund ti shohësh gjatë ekskursionit në uzinën e prodhimit të xhamit dhe kristalit.

250 vite më parë për fillimin e prodhimit në manifakturë të kristalit rus kontribuan mjeshtrat më të mirë të ardhur nga Bohemia - qelqfryrës, specialistë gdhendjeje, skalitës. Në këtë uzinë kristalin e "ziejnë" sipas recetave të veta unikale duke i dhënë atij ngjyrë të verdhë, lilak (jargavan), blu, bojë qielli, ngjyrë çaji, rozë dhe jeshile.

Për arritjen e efektit të lojës me shumë ngjyra dhe nuanca shfrytëzohen kombinime të ndryshme ngjyruesish. Që këtej rrjedh i ashtuquajturi "efekt aleksandriti": ndryshimi i ngjyrave të sendit prej kristali në varësi nga ndriçimi.

Tashmë që në shekullin e XIX-të skalitja dhe gdhendja me faqe arritën në këtë manifakturë nivelin botëror. Linjat e lehta me dritë-hije të buta. Këto ishin dantella të vërteta prej kristali. Kurse vazot në stilin modern për nga teknika dhe niveli artistik nuk mbeteshin aspak prapa prodhimeve të dizainerit të famshën francez Emile Galle. Në ekspozitën e hapur në Paris në vitin 1900 prodhimet e uzinës nga Gus-Hrustalnij u nderuan me çmimin Grand Prix.

Gus-Hrustalnij është një mbretëri e tërë jashtëzakonisht e pasur me sende kristali. Në këtë qytet bashkëkohor ka shumë dyqane të specializuara dhe sallone arti. Në të ekziston gjithashtu edhe tregu i kristalit-i vetmi në gjithë Rusinë.

Periudhë e artë për qytetin kanë qenë vitet 70-të të shekullit të kaluar. Atëhere kërkesa për prodhime kristali arriti kulmin e vet: gati çdo familje ruse kishte bufe të mbushur me komplete sendesh prej kristali, gjë kjo që vlerësohej si shenjë bollëku, mirëqenieje dhe tregues i shijes së mirë.

Në ditët tona uzina e qytetit Gus-Hrustalnij eksporton prodhimet e veta në shumë vende të botës: në Francë, Çeki, Gjermani, Spanjë, Finlandë, SHBA, Kanada. Qendra të shitjes së kristalit rus janë hapur në SHBA, Gjermani, Britaninë e Madhe, Kanada, Letoni dhe bile në Australi.

Shiko galerinë fotografike