E kaluara i pengon anëtarët e rinj të Bashkimit Europian për anulimin në një kohë të afërt të regjimit të vizave midis Rusisë dhe BE. Një mendim të tillë e shprehu gjatë fjalës së marrë përpara gazetarëve në Moskë Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë BE Vladimir Çizhov. Ndërkohë Moska është politikisht e gatshme për vendosjen e regjimit pa viza me BE. Tani fjalën e vet për këtë duhet ta thotë Brukseli. Negociatat mbi vendosjen e regjimit pa viza midis Rusisë dhe BE po zhvillohen tashmë që prej disa vitesh. Megjithëse edhe në Moskë, edhe në Bruksel e kuptojnë për mrekulli se anulimi i regjimit të vizave për qytetarët e Rusisë dhe ata të Bashkimit Europian do të çojë në liberalizimin si të marrëdhënieve politike, ashtu dhe atyre ekonomike. Dhe leverdia është e dyanshme në këtë rast. Por çfarë e pengon realizimin e këtyre planeve në jetë? Sipas mendimit të Vladimir Çizhovit, pas qendrimit të Bashkimit Europian ndaj këtij problemi fshihen edhe arsye politike. Kështu, siç vuri në dukje ai, disa nga anëtarët e rinj të BE do të donin të distancoheshin sa më shumë që të jetë e mundur nga Rusia. "Unë mendoj, tha Vladimir Çizhov, se kjo është pasojë e zgjerimit shpërthyes të BE, si rezultat i të cilit anëtarë të tij u bënë vendet e rajonit të Europës Qendrore dhe asaj Lindore. Aspak jo të gjithë, por disa prej tyre futën në rendin e ditës të bashkëpunimit të Rusisë dhe BE ato gjëra të cilat unë ngandonjëherë i quaj "dhimbje fantazma të së kaluarës". Tek disa këto fobi janë të lidhura me periudhën sovjetike. Ndërsa për disa të tjerë këto fobi shkojnë akoma dhe më larg, në thellësi të historisë. Kështu që, sigurisht, këto gjëra nuk mund të mos lënë gjurmën e tyre negative në atmosferën e përgjithshme në total me tendencën e një sërë vendeve anëtare të reja të BE për të abuzuar me parimin mjaft fisnik e pozitiv të solidaritetit europian", tha Vladimir Çizhov. Ndërsa, duhet thënë, se që në vitin 2003 BE me gojën e Kryetarit të atëhershëm të Komisionit Europian Romano Prodi deklaronte se pas 5 vjetësh rusët mund të hyjnë pa viza në Europë. Që nga ajo kohë kanë rrjedhur shumë ujëra. Ndërkohë, aktualisht ekzistojnë të gjitha arsyet për ti quajtur të suksesshme negociatat në lidhje me këtë çështje, mendon Vladimir Çizhov: "Erdhi koha që të kalohet nga perspektiva afatgjatë në ndonjë gjë më konkrete. Ne kemi para sysh shembullin e tre vendeve Ballkanike: Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, të cilat duke anashkaluar negociatat pa fund e krye, më 14 dhjetor të vitit të kaluar përfituan regjimin pa viza me Bashkimin Europian. Sigurisht që kjo nuk ndodhi në mënyrë spontane. Unë kam qenë mëse një herë në këto vende dhe jam marrë për vite e vite me radhë me problemet e Ballkanit dhe mund të them me bindje të plotë, se nga ana e Rusisë ekziston një rrezik shumë më i madh migracioni për Bashkimin Europian se sa prej vendeve të rajonit Ballkanik. Ndërkohë nuk do të ishte aspak korrekte të konfirmohej se Moska dhe Brukseli nuk po avancojnë drejt liberalizimit të marrëdhënieve të vizave. Vetëm vitin e kaluar 12 shtete liberalizuan regjimin e vizave për qytetarët rusë. Një sërë vendesh europiane, të cilat janë të interesuara për rritjen e rrymës së turistëve rusë në periudhën e muajve të verës, i thjeshtuan rregullat e hyrjes në vend për këtë kohë. Më parë Kreu i MPJ të Rusisë Sergei Lavrov, sipas përfundimeve të takimit me Përfaqësuesen Supreme të BE për politikën e jashtme dhe politikën në sferën e sigurimit Catherine Ashton, shprehu besimin se në një kohë të afërt do të arrihet të zgjidhen të gjitha problemet ekzistuese për kalimin në regjimin pa viza me BE. Kështu që tani mbetet vetëm të shpresohet tek triumfi i arsyes së shëndoshë.