Shkarko audiofailin

 


Në rendin e ditës të mbledhjes të së premtes të Bundestagut është përfshirë edhe çështja që ka të bëjë me miratimin e mandatit për rritjen e numrit të efektivit të Bundeswehr-it në Afganistan. Në rajonet e veprimeve luftarake do të nisen suplementarisht edhe  850 ushtarë dhe numri i përgjithshëm i kontingjentit gjerman atje do të përbëjë 5350 veta. Në vigjilje nisjen e përforcimeve e bekoi, i dha uratën, komiteti parlamentar për politikën e jashtme. Kundër dolën vetëm përfaqësuesit e fraksionit të të majtëve si dhe 2 deputetë nga partia e të gjelbërve. Me prezencën e mbështetjes së Partisë opozitare Social Demokrate të Gjermanisë çështja mund të quhet e parapërcaktuar. Disa ditë përpara marrjes së vendimit nga ana e Bundestagut revista "Cicero" zhvilloi një sondazh të shkurtër midis 10 ministrave europianë të mbrojtjes të vendeve të NATO-s. Pyetja kryesore që iu drejtua atyre tingëlloi kështu: "Kur do të fillojë largimi i trupave të Aleancës nga Afganistani? Nga përgjigjet e marra doli, se çdo ministër nuk ëndërron më për gjë tjetër veçse për evakuimin sa më të shpejtë prej andej. Ushtarët do të kthehen në atdhe sapo trupat dhe policia afgane të mund të marrin nën kontrollin e vet të plotë situatën në vend. Por se kur do të ndodhë kjo ngjarje e shënuar, të paktën përafërsisht, asnjëri nga ata nuk mori guximin të thotë. Me përjashtim të ministrit të mbrojtjes të Hungarisë Imre Szekeres, kontributi i së cilës në kauzën  e përbashkët përbën gjithsej 310 ushtarë. Parashikimi i tij është i tillë: largimi do të fillojë pas 5-6 vitesh, jo më parë. Në fakt, nuk ia vlen të kërkohet si shumë nga aleatët europianë të SHBA-s. Sepse ku dhe kundër kujt të luftohet, me ç'numër forcash dhe për sa kohë, këtë gjë, si rregull, nuk e vendosin ata. Për të nëntin vit me radhë SHBA-s dhe aleatët e tyre (më tepër se 40 shtete) po kërkojnë ethshëm se kujt t'ia ngarkojnë misionin tejet të përgjegjshëm për vendosjen e paqes në Afganistan. Regjimi i korruptuar afgan është si pëlhurë e kalbur: nga ajo nuk mund të qepësh asgjë sepse të mbetet copa copa në duar. Dhe çdo vit nga goja e politikanëve të përgjegjshëm të NATO-s dëgjohen, si avazi i Mukes, po të njëjtat fjalë: Ja edhe një përpjekje tjetër për çrrënjosjen e korrupsionit, ja dhe një kurs tjetër policësh afganë të përgatitur nga instruktorët perëndimorë, edhe një tjetër rekrutim i radhës për në ushtrinë vendase, edhe një kontribut tjetër i europianëve në kauzën e përbashkët dhe i vjen fundi talibanëve. Kështu dhe vijnë vërdallë ata si kali në lëmë. Ndërkohë që zgjedhja e bërë në favor të përdorimit të forcës ushtarake atje, gjatë së cilës po gjejnë vdekjen gjithnjë e më shumë banorë të pafajshëm paqësorë se sa talibanë, e ka provuar tashmë që prej kohësh paaftësinë, paefektshmërinë e vet.