Shkarko audiofailin  


0 Në Sochi, në kryeqytetin e Olimpiadës së ardhshme Dimërore, do të hapet Universiteti olimpik ndërkombëtar i Rusisë. Në prezantimin e institucionit të ri mësimor, që u zhvillua në Vankuver, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Jak Rogge tha se ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm. "Pa shkencën sportistët nuk bëjnë dot, - thotë Jak Rogge, - është i pamjaftueshëm vetëm zotërimi i teknikës sportive, është i nevojshëm gjithashtu edhe një bagazh i mirë njohurish akademike". Presidenti i KON falenderoi Rusinë jo vetëm për idenë e mirë të krijimit të një shkolle të tillë të lartë unikale dhe të domosdoshme, por, më kryesorja, edhe për atë kontribut që jep vendi në zhvillimin e Lëvizjes Olimpike. Pas 4 vjetësh në Rusi do të duket edhe një kryeqytet tjetër - Sochi - qyteti i cili do të bëhet i Zoti i shtëpisë së Lojrave të XXII-ta Olimpike Dimërore. Ndërsa tani për tani ky qytet klimaterik bregdetar të kujton një shesh të stërmadh ndërtimi ku mbijnë si këpudhat stadiume, objekte të reja infrastrukture dhe godina banimi. Qyteti aty nga viti 2014 duhet të marrë në dorëzim 207 objekte, 14 nga të cilat do të jenë stadiume të nivelit ndërkombëtar si dhe do të përfitojë 260 kilometra rrugë automobilistike, 105 kilometra rrugë hekurudhore, 10 tunele aksesh rrugore dhe 11 rrugësh hekurudhore dhe një port të madh detar. Se ç'pamje do të ketë kryeqyteti i Lojrave të ardhshme olimpike dimërore patën mundësi ta shohin me sytë e vet së bashku me Jak Rogge-në edhe shumë kanadezë. Në "Shtëpinë ruse" u vendos një maket shumë i madh i Sochit dhe periferive të tij, në të cilin në qoftë se dëshiron mund të gjesh bile edhe godinën e universitetit të ardhshëm, i cili i pëlqeu aq shumë Presidentit të KON. Por ne erdhëm në Vankuver jo dhe aq për të treguar për veten, se sa për të mësuar nga kanadezët dhe për të marrë nga ata përvojën e zhvillimit të Lojrave, thotë Nënkryeministri i Rusisë Dimitri Kozak, në mënyrë që pas 4 vitesh të mos përsërisim gabimet e tyre. "Ne duhet ta bëjmë gjithçka shumë më mirë. Në qoftë se do të flasim për konkluzionet e nxjerra nga Olimpiada në Vankuver, duhet thënë se ekziston domosdoshmëria e modernizimit të infrastrukturës së transportit. Në Sochi ajo do të jetë më e fuqishme, me kapacitet shumë më të madh qarkullimi. Në gjithçka tjetër Lojrat e Vankuverit mund të shërbejnë si shembull", tha Dimitri Kozak. Më 28 shkurt, në ditën e mbylljes së Olimpiadës Dimërore-2010, do të zhvillohet ceremonia solemne e dorëzimit të flamurit olimpik kryeqytetit të Lojrave të ardhshme. Më pas simbolit olimpik do ti duhet të përshkojë një rrugë tejet të gjatë përmes oqeanit, nga Vankuveri deri në Sochi.