Në Aleancën Veriatlantike gjetën një përgjigje mjaft origjinale duhet thënë ndaj Doktrinës ushtarake ruse, e cila përcakton si një ndër rreziqet më kryesore të jashtme për Rusinë "synimin për ta ngarkuar potencialin ushtarak të NATO-s me funksione globale që realizohen në jetë me shkelje të normave të së drejtës ndërkombëtare". Siç vë në dukje botimi "Njezavisimaja gazeta", në Aleancë, megjithatë, i ranë një rruge tjetër për arritjen e qëllimit të vet. Ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s George Robertson, i cili vizitoi para pak kohësh Moskën, deklaroi se "Rreziqet kërcënuese për NATO-n janë kërcënime po të tilla edhe për Rusinë... Në lidhje me të gjitha këto probleme ne mund dhe duhet të punojmë së bashku", - sqaroi ai dhe shtoi, se "hyrja e Rusisë në NATO aktualisht është shumë më reale se sa 10 vjet më parë". Ky fragment mund të kalonte edhe pa u vënë re në qoftëse pas dy ditëve Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton në takimin me gazetarët në Uashington duke iu përgjigjur pyetjes "Nëse mund të hyjë ndonjëherë Rusia në NATO?", nuk do të thoshte, se "nuk e përjashton një kthesë të tillë të ngjarjeve". Dhe më pas e plotësoi atë me fjalët: "Unë për veten time mund ta përfytyroj një gjë të tillë. Ndërsa përsa ka të bëjë me rusët, në momentet aktuale nuk jam fort e sigurt". Ndaj kësaj replike të saj reagoi aty për aty përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë selisë së NATO-s Dimitri Rogozin. "Në qoftë se NATO do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tej si sistem global i dominimit amerikan, - tha ai, - atëhere në një sistem të tillë... Rusia nuk mund të hyjë në kurrfarë mënyre. Dhe vazhdoi më tej si vijon: "Bota e njëanshme, natocentrizmi, zgjerimi spontan i Aleancës në drejtim të Lindjes, refuzimi për marrjen parasysh të interesave të Rusisë dhe partnerëve të saj, të gjitha këto nuk janë gjë tjetër veçse gromësimë e luftës së ftohtë"... Ndërsa duke folur mbi propozimet e Sekretares amerikane të shtetit mund të vë vetëm në dukje: po, me të vërtetë tingëllojnë fjalë të tilla që të përkëdhelin veshin, por ne do të donim të përcaktoheshim duke u mbështetur në veprime konkrete, reale dhe jo thjesht tek fjalët". Pozitën e Dimitri Rogozinit e mbështesin edhe shumë ekspertë. Deri tani NATO, thonë ata, nuk ka reaguar ndaj asnjë propozimi konstruktiv pune të bërë nga ana jonë. Në Bruksel nuk dihet përse bëjnë sikur në Konceptin e sigurimit europian, të propozuar nga Presidenti Dimitri Medvediev, për ta nuk ka asgjë të re. Bile më tepër se kaq, bëjnë dhe aluzion, se ajo gjoja drejtohet pikërisht kundër NATO-s dhe jo për forcimin e bashkëpunimit. Atje nuk reagojnë në kurrfarë mënyre ndaj synimit të SHBA-s - anëtare të Aleancës - për të dislokuar, në kundërshtim me Aktin Themelor Rusi-NATO, fare pranë kufijve rusë bazat e veta ushtarake dhe kontingjentet e ushtrisë, sistemet e Mbrojtjes Antiraket. Aleanca nuk po mundet të riorganizohet dot, ajo nuk dëshiron të marrë parasysh interesat kombëtare të Rusisë.

Komentimi i artikullit të ditës

Nënpresidenti i Akademisë së problemeve gjeopolitike Vladimir Anohin mendon, se në marrëdhëniet me NATO-n duhet tërhequr vemendja ndaj veprimeve të Aleancës dhe jo ndaj propagandës: "Dislokimi i elementeve të sistemit amerikan të Mbrojtjes Antiraket është pikërisht ai gur prove, ajo pengesë që nuk na lejon ne të mbajmë një qendrim me mirëbesim ndaj NATO-s. Sepse hedhja e saj nga Polonia tek Bullgaria presupozon se ajo dëshiron ti vendosë megjithatë komplekset e veta dhe të na krijojë ne pengesa e vështirësi të caktuara. Kurse fjalët e sheqerosura të Hillary Clintonit nuk janë gjë tjetër veçse ninullë e radhës për të vënë në gjumë udhëheqjen tonë. Duhet vërtet të shihen punët konkrete dhe jo fjalët e hedhura në ajër. Amerikanët kanë folur shumë me ne për miqësinë, rreziqet e përbashkëta kërcënuese, bashkëveprimin, por në realitet asgjë nga këto nuk ekziston. Ja, për shembull, zgjerimi në drejtim të Lindjes, afrimi pranë kufijve tanë, dislokimi i mëtejshëm i sistemeve amerikane të Mbrojtjes Antiraket. Unë jam mëse i bindur se ndonjë ndyrësi tjetër e radhës do të vazhdojë edhe më tej. Sigurisht, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Aleancën Veriatlantike në luftën kundër sfidave të kohës. Dhe tashmë po bashkëpunojmë. Një shembull evident konfirmues i kësaj është dhe Afganistani. Kurse për afrim tani për tani as që mund të bëhet fare fjalë". Ky ishte komentimi i Nënpresidentit të Akademisë së problemeve gjeopolitike Vladimir Anohin.