Në Muzeun e arteve Figurative me emër të Pushkinit në Moskë janë marrë masa të paprecedentshme sigurie. Më 25 shkurt në të do të hapet ekspozita e veprave të Pablo Pikassosë. Në Moskë janë sjellë 240 kryevepra pikture dhe skulpture të piktorit gjenial të shekullit të XX-të. Perceptimi dhe vlerësimi i Pikassosë në Rusi është një histori jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila e merr fillesën e vet që nga vitet 1900. Atëhere pikturat e tij i sillnin në ekspozitat "Fanti karo" të bashkimit të parë të piktorëve rusë të avangardit. Koleksionistët rusë e vlerësuan menjëherë talentin e mjeshtrit francez dhe deri në kohën  e revolucionit të vitit 1917 blenë jo pak tabllo të tij. Pikërisht ai "Picasso i hershëm" dhe është sot krenaria e koleksioneve të Muzeut të Arteve Figurative me emër të Pushkinit në Moskë dhe Muzeut Ermitazh të Shën Peterburgut. Kurse në vitet e pushtetit sovjetik pikturat e tij ishin të destinuara të "zbukuronin" depot e muzeumeve. Ja se ç'tregon Drejtoresha e Muzeut të Arteve Figurative me emër të Pushkinit Irina Antonova: "Ne e organizuam ekspozitën e parë të veprave të tij në vitin 1956. Sepse duhet thënë se ato ishin kohëra të vështira dhe hapja e ekspozitës së veprave të Pikassosë nuk ishte punë aspak e thjeshtë. Për më tepër në vendin i cili 3 vite përpara kësaj "mori nam" me çështjen e të ashtuquajturit "shpartallim i Manezhit", kur iu nënshtrua represionit ekspozita e pikturës kontemporane me punë, sipas mendimit tim, tejet të pafajshme, - thotë Irina Antonova. - Më pas ne hapëm ekspozitën e dytë në vitin 1961, pastaj në vijim në vitet 1971, 1981 për nder të jubileut të piktorit. Në Muzeun tonë ekziston një histori e tërë e ekspozitave të Pikassosë. Gjysëm shekulli më parë, në ekspozitën e parë që u organizua në Muzeun moskovit, u ekspozua piktura "Macja që mbërtheu në kthetra zogun". Dikujt ajo iu duk jo thjesht ogurzezë, por dhe si e tillë që simbolizonte në mënyrë makabre tiranin Stalin. Zor se aktualisht kjo tabllo, e cila ka hyrë në ekspozitën aktuale, shkakton ndjesi të tilla. Sepse ne jetojmë në një kohë krejt tjetër, por edhe brezi i tanishëm, pa dyshim, ka një përgatitje tjetër ideologjike dhe estetike, mendon një nga organizatorët e ekspozitës Vitali Mishin. Por megjithatë ai nuk përjashton aspak debatet e diskutimet e shikuesve edhe tani në lidhje me këtë temë: "Është bile tejet e vështirë të krahasohet situata sociale e vitit 1956 me atë të vitit 2010, - thotë kuratori i ekspozitës, - por kjo nuk do të thotë aspak se të gjithë shikuesit do ta pranojnë në mënyrë të padiskutueshme, absolute Pikassonë. Gjithmonë do të ketë edhe kundërshtarë, edhe ithtarë të këtij piktori", shprehet Vitali Mishin. Por duhet thënë, se 30 pikturat dhe 20 fotografitë që dëshmojnë për bashkëpunimin e Picassosë me "Sezonet e famshme ruse në Paris", zor se do të mund të lënë indiferent ndokënd. Për rusët kanë qenë gjithmonë krenari e ligjshme faktet se një njeri i tillë kaq i famshëm si Pikasso ka qenë i martuar me kërcimtaren ruse Olga Hohllova, se ai kishte miqësi të ngushtë me impresarion rus Sergei Djagiliev, më kompozitorin Igor Stravinskij dhe se ka pasqyruar në tabllotë e veta edhe portretet e tyre. Organizimi i një ekspozite të tillë kaq të madhe të punëve të Pikassosë u bë e mundur, para së gjithash, falë zhvillimit të Vitit të shkëmbimeve të ndërsjellta kulturore të Rusisë dhe Francës. Si përgjigje ndaj saj më 2 mars në Paris do të hapet një ekspozitë jo më pak impresionuese-"Rusia e shenjtë", e cila do të paraqesë artin figurativ rus të Rusisë në periudhën nga shekulli i X-të deri në shekullin e XVIII-të. Ekspozitat moskovite dhe parisiane janë "dy shtyllat bazë" të gjithë konstruksionit kulturor të Vitit në fjalë.