Shërbimi në ushtrinë bashkëkohore ruse duhet të bëhet punë e prestigjshme dhe etapë e rëndësishme në formimin qytetar të njeriut të ri. Rikonceptimi i gjithë sistemit të përgatitjes përpara thirrjes për kryerjen e shërbimit ushtarak u shkaktua jo vetëm nga shkurtimi i shërbimit ushtarak deri në 1 vit në ushtri. Sipas idesë së përpunuesve të Konceptit të ri federal të përgatitjes së rinisë për kryerjen e shërbimit ushtarak është shumë e rëndësishme që fletëthirrja për ushtar të mos i gjejë të papërgatitur të rinjtë (të mos i kapë gafil). Ushtrisë i duhen edhe shoferë, edhe qitës, edhe akualangistë (zhytës). Ushtrisë i duhen të rinj me përvojë përgatitje alpinistike malore dhe parashutistë. Dhe të gjitha këto gjëra ata duhet ti mësojnë që para thirrjes për kryerjen e shërbimit ushtarak, thotë Zëvendës kryetari i Komitetit për sigurimin i Dumës Shtetërore të Rusisë Genadi Gudkov : "Do të ishte fort e dëshirueshme që ky rikonceptim të çonte në rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të arsimimit, instruktimit. Atëhere njerëzit që do të vijnë në ushtri do të arrijnë të kuptojnë drejt se ç'duhet të bëjnë dhe se ç'kërkohet prej tyre. Se si duhet të arrihet përsosmëria me qëllim që të bëhen ushtarë efektivë, të aftë për plotësimin e detyrave serioze dhe të ndërlikuara luftarake". Në kundërshtim me mendimin e skeptikëve, në vend ka shumë adoleshentë që jo vetëm synojnë të bëhen mbrojtës të Atdheut, por dhe që e përgatisin veten për shërbimin ushtarak, mendon Kryetari i Këshillit Qendror të Bashkimit të desantëve të Rusisë Pavel Popovskih: "Në Bashkimin e klubeve të desantit aktualisht hyjnë më tepër se 130 bashkime shoqërore, në të cilat marrin pjesë gati 10 mijë të rinj. Në klubet e proflit të desantit të rinjtë hyjnë me qejf. Adoleshentët atje merren jo vetëm me përgatitje fizike, por edhe me punë ushtarake, kryesisht me tematikën e zbulimit. Për djemtë e rinj, bile dhe për vajzat, është mjaft interesante të luajnë rolin e zbuluesve. Ata duan të jenë të shëndetshëm, të zhvilluar mirë fizikisht, me mendje të mprehtë e të kthjellët dhe të fortë. Ne bile nuk kemi mundësi ti pranojmë të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në këto klube. Ushtria po ristrukturohet, do të reformohet. Mbrojtja e Atdheut ka qenë gjithmonë për Rusinë edhe nder, edhe obligim, edhe detyrim. Dhe këtë detyrim përpara atdheut duhet ta plotësojë çdo burrë. Një vemendje e veçantë në Konceptin e përgatitjes së rinisë për kryerjen e shërbimit ushtarak i kushtohet shëndetit të mbrojtësve të ardhshëm të Atdheut. Për këtë qëllim që nga mosha 10 vjeçare do të fillojë të praktikohet monitorimi i përvitshëm i gjendjes fizike dhe psikologjike të adoleshentëve. Pas një viti sistemi i ri do të fillojë të funksionojë në masë të plotë.