Më 19 shkurt Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë po fillon diskutimin e gjerë të problemit të trashëgimisë së vet. Fjalë bëhet mbi zhvillimin e diskutimeve ndërkombëtare në lidhje me perspektivat e shfrytëzimit të letrave të grumbulluara, audio dhe video materialeve nga të gjitha vendet e interesuara. Duke marrë parasysh atë fakt, se Gjykata e Hagës që nga momenti i themelimit të vet në vitin 1993 ka zhvilluar tashmë 144 procese gjyqësore, baza dokumentale e tij është unikale. Por vëzhguesi ynë Pjotër Iskenderov mendon, se trashëgimia e Gjykatës duhet trajtuar më gjerësisht se sa thjesht si përmbledhje dokumentesh dhe dëshmish. Dhe kjo trashëgimi nuk është aspak e njëkuptimshme. Materialet e grumbulluara nga Gjykata e Hagës, pa dyshim, përbëjnë një interesim jashtëzakonisht të madh për të gjithë ata që duan të dinë më shumë mbi historinë e Ballkanit të këtij 20 vjeçari të fundit. Por, duke gjykuar nga deklaratat e funksionarëve, ata shpresojnë se arkivat shumëvëllimëshe do të shfrytëzohen gjerësisht në kryeqytetet ballkanike aspak jo për qëllime shkencore. I gjithë problemi konsiston në atë, se sipas vendimeve ekzistuese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gjykata e Hagës duhet të përfundojë punën  e vet aty nga fundi i vitit në vazhdim. Por që tani është mëse e qartë, se ky afat nuk mund të respektohet dot. Procesi ende i pafilluar mirë gjyqësor ndaj ish Liderit të serbëve boshnjakë Radovan Karaxhiç do të zvarriset si tepër, si të paktën, deri në fund të vitit 2012. Në rendin e ditës vazhdojnë të mbeten akoma edhe shumë çështje të tjera të bujshme -  ndër të cilat figurojnë dosjet e ish Kryekomandantit të ushtrisë së serbëve boshnjakë Ratko Mlladiç dhe ish Liderit të serbëve kroatë Goran Haxhiç. Këta persona ndodhen akoma në liri. Në situatën e krijuar Gjykata e Hagës do të jetë e detyruar herët a vonë të marrë vendimin mbi dorëzimin e çështjeve të pashqyrtuara nga ajo në gjykatat e juridiksionit kombëtar të vendeve ballkanike. Kurse kjo do të bëhet sfidë e hapur edhe për fuqitë botërore, edhe për gjithë drejtësinë ndërkombëtare, mendon Shefi i degës së historisë së popujve sllavë të Europës Juglindore në kohën e re të Institutit të Sllavistikës të Akadamisë së Shkencave të Rusisë Aleksandër Karasjov: "Komuniteti Ndërkombëtar duhet të përpiqet të gjejë një rrugëzgjidhje të tillë, e cila të kënaqë të gjitha palët e interesuara, thotë Aleksandër Karasjov. Por problemi kryesor konsiston në atë, se Gjykata e Hagës që në fillim zuri një pozitë tendencioze në lidhje me shumë ngjarje kryesore të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë. Duke i kushtuar vemendjen më të madhe hetimit të krimeve të vërteta dhe imagjinare të serbëve, ajo me një intensitet shumë më të vogël ka shqyrtuar krimet e bëmat e myslimanëve kroatë dhe boshnjakë. Krimet monstruoze të shqiptarëve kosovarë, në përgjithësi, u shqyrtuan në mënyrë fragmentare dhe si përfundim u dënuan figura të dorës së dytë. Shumë fakte skandaloze, të ngjashme me ato që kanë të bëjnë me akuzimin e shqiptarëve kosovarë për trafikim të organeve të serbëve të vrarë, në mënyrë të habitshme gjetën pasqyrim jo në materialet e çështjeve penale, por në faqet e librit të kujtimeve të ish Kryeprokurores së Gjykatës së Hagës Karla Del Ponte. Prandaj shfrytëzimi pasues i materialeve hetimore të përzgjedhura në mënyrë kaq tendencioze shkakton dyshime serioze. Ato mund të bëhen element i fushatave të reja antiserbe, tanimë në nivel gjykatash kombëtare të vendeve ballkanike", shprehet me bindje Aleksandër Karasjov. Në këtë mënyrë, vendimi që është pjekur tashmë plotësisht për pezullimin e  veprimtarisë së Gjykatës së Hagës, gjë për të cilën bën vazhdimisht thirrje Rusia, do ta detyrojë komunitetin ndërkombëtar të mendohet mirë në lidhje me parimet e reja të hetimit të krimeve në territorin e ish Jugosllavisë. Më kryesorja është, që këto parime të mos bëhen sërish monedhë këmbimi në duart e lojtarëve gjeopolitikë.