Shkarko audiofailin   


0 Traktati i ri midis Rusisë dhe SHBA-s mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO) do të bëhet për gjithë botën dëshmi evidente e synimit të fuqive më të mëdha për zgjidhjen e problemit të mospërhapjes së armës së shfarosjes në masë dhe do ti japë gjithë botës një shembull pozitiv. Për këtë deklaroi Nënpresidenti i SHBA-s Joseph Biden gjatë fjalës së marrë në Universitetin e mbrojtjes kombëtare të Uashingtonit. Ai mendon gjithashtu, se Traktati i ri mbi ASO do ti shërbejë forcimit të stabilitetit strategjik dhe përpjekjeve globale për parandalimin e armës bërthamore, duke demonstruar se fuqitë kryesore të botës ruajnë besnikërinë e vet ndaj kauzës së shkurtimit të arsenaleve të tyre strategjike. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme në kushtet kur disa të ashtuquajtura shtete "në prag të arritjes së qëllimit të tyre bërthamor" po i afrohen shumë kufirit të rrezikshëm të zotërimit të armës më shkatërrimtare në botë. Përveç kësaj, nënshkrimi i shpejtë i marrëveshjes së re ruso-amerikane mbi Armatimet Strategjike Ofensive do të lejojë zhvillimin e suksesshëm dhe në mënyrë frytëdhënëse të samitit për problemet e sigurimit bërthamor të planifikuar për në prill të këtij viti dhe konferencës përfundimtare të majit për mospërhapjen e armës bërthamore. Por në rrugën e vendosjes së një bashkëpunimi më të ngushtë midis Rusisë dhe SHBA-s ekzistojnë ende një sërë pengesash, thelbin e të cilave e bëri publik Kreu i MPJ të Rusisë Sergei Lavrov: "Ç'është për të ardhur keq, gjithnjë e më shumë probleme po lindin rreth situatës që ka të bëjë me Mbrojtjen Antiraket, sistemin e së cilës administrata aktuale e SHBA-s planifikon ta dislokojë në Europë. Vazhdon të ruhet në masë të plotë edhe koncepti amerikan i dhënies së goditjes së rrufeshme", tha Ministri rus. Ndërkohë dialogu në Gjenevë po vazhdon, palët po kërkojnë rrugët e pranueshme të kapërcimit të mosmarrëveshjeve. Dhe shembulli pozitiv për gjithë botën pikërisht dhe konsiston në atë, që fuqitë e mëdha po synojnë të minimizojnë arsenalet e veta bërthamore pa dëm për sigurinë reciproke.