Patinatori rus Eugjeni Plushenko fitoi vetëm medaljen e argjendit në patinazhin individual artistik në akull për meshkuj në Olimpiadën në Vankuver. Ai e përfundoi debutimin e vet me rezultatin e përgjithshëm 256,36 pikë duke mbetur vetëm me 1,31 pikë pas amerikanit Evan Lysacek, të cilit gjyqtarët i dhanë medaljen e arit. Sipas mendimit të ekspertëve, amerikani e realizoi programin e vet në akull në mënyrë të pastër dhe mjaft mirë por megjithatë debutimi i tij ishte shumë larg atij olimpik. Kjo situatë u bë shkas për të folur sërish mbi objektivitetin e Panelit të Gjyqtarëve. Favoriti kryesor i Lojrave Olimpike, kampioni olimpik i Torinos Eugjeni Plushenko, vazhdoi të besonte deri në momentin e fundit në fitoren e vet. Në të ashtuquajturin kënd të "Lotëve, puthjeve e përfaqimeve", ku sportistët presin rezultatet e vlerësimit të Jurisë pas debutimit, Eugjeni u shpreh me psherëtimë: "Unë bëra gjithçka që munda". Pasi pa vlerësimin e gjyqtarëve ai shtoi me qetësi: "i dyti". Ndërsa pak më vonë patinatori me famë, zotërues i titujve të gjithmundshëm, do të shtrojë pyetjen retorike: si mund të fitosh kampionatet botërore dhe aq më tepër Lojrat olimpike pa realizuar këcimin me rrotullim katër herësh në ajër? Ky nuk është më tashmë patinazh artistik për meshkuj, thotë Eugjeni Plushenko: "Unë mendoj se duhen pyetur gjyqtarët, drejtuesit e disiplinës sportive të patinazhit artistik në akull se si mundën të sajojnë një sistem të tillë në të cilin kërcimet me rrotullim katërherësh në ajër nuk vlerësohen fare? Sepse i bie se në qoftë se ato nuk vlerësohen unë nuk do ti kisha bërë këto figura, por do të kisha demonstruar të tjera gjëra dhe nuk do të isha lodhur kaq shumë. Dua të theksoj edhe një herë, se patinazhi artistik ka rënë shumë poshtë dhe po merr tatëpjetën me një vrull të tmerrshëm. E ç'kuptim ka atëhere e gjithë kjo? Pse patinazh artistik për meshkuj është ky? I bie në të vërtetë që këto të jenë atëhere kërcime në akull. Unë nuk e di, por më duket sikur duhet rishikuar, ndryshuar i gjithë sistemi i kësaj disipline sportive. Sepse kjo është një gjë krejtësisht e pakuptimtë. Por unë megjithatë dua ta falenderoj Rusinë për mbështetjen që më dha. Unë isha mëse i bindur se do të fitoj, sepse unë i realizova të gjitha programet në mënyrë dinjitoze", tha sportisti. Pas debutimit me programin e shkurtër Plushenko ruante pozita prej lideri, por gjyqtarët e vlerësuan me bujari ë madhe edhe debutimin e kampionit aktual botëror, ndërsa tani dhe kampionit të shpallur rishtas olimpik Evan Lysacek, pavarësisht se ai nuk realizoi kërcimin me rrotullim katërherësh në ajër. Plushenkon ata nuk e mëshiruan duke ia ulur pikët bile dhe për gabimet më minimale gjatë realizimit të elementeve të ndryshme. "Ky sistem gjykimi nuk është aspak i përsosur dhe ka nevojë për përpunim", - u solidarizua me Eugjeni Plushenkon kampioni olimpik në patinazhin në çift Anton Siharulixe: "Unë jam mëse i bindur se në patinazhin individual për meshkuj kryesore duhet të jetë përgatitja teknike e sportistit, domethënë, para së gjithash, kërcimet me shumërrotullime në ajër. Eugjeni e demonstroi këtë element. Ai është i vetmi që e realizoi figurën, elementin e quajtur kaskad me rrotullim tre dhe katër herësh në mënyrë të njëpasnjëshme". A do të paraqesë Rusia protestën e vet në Panelin e Gjyqtarëve? Në Federatën ruse të patinazhit artistik në akull tani për tani nuk po e komentojnë në kurrfarë mënyrë situatën e krijuar. Trajneri i famshëm rus i 27 vjeçarit Eugjeni Plushenko Aleksei Mishin vuri në dukje, se krenohet me nxënësin e vet dhe se është plotësisht i bindur se Plushenko duhet të vazhdojnë debutimet e veta pavarësisht nga medalja fyese "e argjendtë" për të.