Aleatet në Luftën e Dytë Botërore Rusia dhe SHBA-s po përgatiten për kremtimin në muajin maj të këtij viti të 65 vjetorit të Fitores mbi fashizmin hitlerian. Fakte të habitshme nga historia e kësaj lufte të përbashkët janë paraqitur në ekspozitën ruso-amerikane "Parashutisti Joe" - Hero i dy kombeve", që u hap më 18 shkurt në Shën Peterburg. Mysafiri kryesor në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në fjalë ishte Ambasadori i SHBA-s në Rusi John Beyrle. "Hero i dy kombeve" ishte babai i Ambasadorit-Josephn Beyrle, i cili pat luftuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore edhe në radhët e ushtrisë amerikane, edhe në ato të Ushtrisë së Kuqe. Zoti Ambasador vuri në dispozicion të ekspozitës eksponate jashtëzakonisht interesante nga arkivi i familjes, që kanë të bëjë me biografinë e Josephn Beyrle, parashutistit të desantit amerikan me pseudonimin "Parashutisti Joe". Po ai tregoi edhe historinë e habitshme të babait të vet: "Babai im pat shërbyer në divizionin e 101 sulmues-ajror të ushtrisë së SHBA-s, - thotë John Beyrle. - Në qershor të vitit 1944 ai desantoi me parashutë në Normandinë franceze dhe, për fat të keq, u zu rob nga gjermanët. Gjatë transferimeve nga një kamp përqendrimi në tjetrin, tashmë aty nga fundi i luftës, në janar të vitit 1945 ai u ndodh në kampin e përqendrimit pranë lumit Oder në Poloni. Ky vend ishte shumë afër njërit prej fronteve të Ushtrisë së Kuqe - Frontit të I-rë Bjellorus. Robërit e luftës dëgjonin bile edhe bataretë sovjetike, kështu që babai, i cili ishte arratisur disa herë me radhë nga kampet por që qe kapur gjithmonë, vendosi sërish të merrte arratinë. Ai ecte në drejtim të lindjes që ti dilte përpara trupave sovjetike. Disa ditë ai gjeti strehim në një fermë që ndodhej në një vend krejtësisht të braktisur derisa atje mbërriti njësia e tankeve sovjetike. Fillimisht babai vërejti me kujdes nga vendi ku ishte fshehur se kujt mund ti drejtohej. Më në fund ai doli nga vendstrehimi dhe u tha ushtarëve: "Unë jam shok amerikan". Ata e shikonin atë me habi të madhe dhe deshën ta dërgonin menjëherë në prapavijë, por babai nëpërmjet përkthyesit i shpjegoi: "Unë jam ushtar, kam qenë rob lufte i gjermanëve dhe për këtë arsye humba mundësinë për të luftuar kundër tyre. Unë e di se ju keni marrë rrugën drejt Berlinit. Unë kam shumë dëshirë të luftoj së bashku me ju për shpartallimin e plotë të Hitlerit". Sipas mendimit të historianit Andrei Tereshenko, njërit prej organizatorëve të ekspozitës, gjesti i Josephn Beyrle nuk është vetëm shembull i burrërisë personale: "Në të vërtetë Josephn Beyrle, thotë Andrei Tereshenko për radiokompaninë "Zëri i Rusisë", pasi i shpëtoi robërisë dhe arriti të kontaktojë me trupat sovjetike, mund të kërkonte me ndërgjegje të pastër që ta çonin në konsullatën amerikane. Ndërsa prej andej ai mund të shkonte tek të vetët dhe së bashku me ta të vazhdonte luftën kundër fashistëve gjermanë. Por ai mori vendosmërisht vendimin "do të luftoj kundër fashistëve që tani dhe pikërisht këtu së bashku me ju". Dhe tashmë vetëm ky fakt i marrë në vetvete ngjall respekt të veçantë për këtë njeri. Kuptimi kryesor i ekspozitës konsiston në atë, që çdo njeri pavarësisht nga përkatësia fetare apo pikëpamjet e veta politike, thjesht, njeri me arsye të shëndoshë, duhet të luftojë me shfaqje të tilla të shëmtuara, makabre si nazizmi. Figurën legjendare të Josephn Beyrle në Bashkimin Sovjetik e njinin shumë veta: ai vinte shpesh në Moskë dhe pasi vishte uniformën ushtarake me të gjitha medaljet amerikane dhe sovjetike në gjoks, takohej me shokët e vet të armës. "Kurse tani emri i tij, po ashtu si dhe historia e vërtetë e përbashkët e luftës së Bashkimt Sovjetik dhe SHBA-s, janë të panjohura për shumicën e amerikanëve dhe rusëve", - shprehet me keqardhje organizatori i ekspozitës nga ana e palës amerikane Greg Guroff. Fajtore për këtë, thekson ai, është "periudha e luftës së ftohtë", e cila la gjurmë të trishtueshme, të hidhur në perceptimin tonë për njëri-tjetrin". Situata është e tillë, se në Rusi mendojnë sikur "amerikanët nuk kanë bërë pothuajse asgjë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, dhe nuk janë në dijeni të asaj se në të morrën pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë 15 milionë ushtarakë amerikanë", - vazhdon më tej Greg Guroff. Nga ana tjetër, në SHBA-s gjithashtu kanë një përfytyrim jo fort të qartë përkatësisht atij kontributi vendimtar që dha Bashkimi Sovjetik për arritjen e fitores mbi fashizmin. Amerikanët i quajnë "Luftë të Panjohur" ("Unknown War") ato 4 vite betejash tejet të rënda me fashizmin që u zhvilluan në territorin e Bashkimit Sovjetik,  të cilët quhen në historinë sovjetike dhe ruse Lufta e Madhe Patriotike. Ndërkohë që bashkatdhetari i tyre Josephn Beyrle ka qenë pjesëmarrës pikërish i asaj lufte të Madhe "të panjohur".