Në kuadrin e vizitës zyrtare në Moskë të Kryeministrit të Greqisë Georgios  Papandreou u zhvillua edhe takimi i tij me Kryetarin e Dumës Shtetërore të Federatës Ruse Boris Grizllov. Në negociatat në fjalë mori pjesë edhe Kryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore për çështjet ndërkombëtare Konstantin Kosaçov. Ai i dha një intervistë të zgjeruar korrespondentit të radiokompanisë "Zëri i Rusisë" Dimitri Fonin.

Sipas mendimit Tuaj, përse e filloi Kryeminstri grek vizitën e vet me vizitimin e Dumës Shtetërore?

"Unë vërej njëfarë simbolike të caktuar në atë fakt, se programi i tij filloi pikërisht me takimin në Dumën Shtetërore, - thotë Konstantin Kosaçov. Në parlamentin rus Georgios Papandreou arriti të takohet menjëherë me përfaqësuesit e të gjitha degëve të pushtetit dhe partive të ndryshme. Biseda e Kryeministrit me të dhe me Kryetarin e Dumës Shtetërore Boris Grrizllov doli me mjaft përmbajtje dhe mëse konkrete. Fjalë u bë, sigurisht, edhe për bashkëveprimin e Greqisë dhe Rusisë në sferën e sigurisë energjetike. Sepse dihet fort mirë se vendet tona bashkëpunojnë tashmë në dy projekte të mëdha - në ndërtimin e gazsjellësit "South Stream" ("Rryma Jugore") dhe naftësjellësit Burgas-Aleksandropulos. Sipas mendimit tim, vazhdon më tej Kosaçov, negociatat e sotme treguan fare qartë, se edhe në lidhje me çështjet e tjera që kanë të bëjnë jo vetëm me interesat ekonomike, por edhe politike të vendeve tona, midis Greqisë dhe Rusisë vërehet një mirëkuptim i qenësishëm reciprok".

Po cilat aspekte të bashkëpunimit u prekën në këtë takim?

Në takimin e zhvilluar në parlamentin rus u prekën gjithashtu edhe disa aspekte të lidhjeve tekniko-ushtarake të Rusisë dhe Greqisë. Unë dua t'ju kujtoj, se ekskluziviteti i tyre konsiston në atë, se Greqia është i vetmi vend i NATO-s, i cili vazhdon, duhet thënë, të blejë në vëllime mjaft serioze lloje të ndryshme armatimesh dhe teknikë ushtarake ruse. Në momentet aktuale, në veçanti, po zhvillohen negociatat për blerjen nga Greqia të automjeteve ushtarake të këmbësorisë (BMP) të prodhimit rus. Delegacioni grek shfaqi një interesim të gjallë edhe ndaj përvojës së veprimtarisë së qeverisë ruse në kushtet e krizës dhe programeve të përpunuara nga ajo për kapërcimin e pasojave negative të saj në ekonomi, - theksoi Konstantin Kosaçov. Në përgjithësi, Rusia dhe Greqia arritën të ruajnë potencialin e partneritetit me leverdi të ndërsjelltë edhe në kushtet e krizës ekonomike. Kurse vizita e Kryeministrit grek Georgios Papandreou do të shërbejë si një stimul serioz për forcimin e tyre", konkludoi Konstantin Kosaçov.