Përpjekjet për rishkruarjen e historisë dhe mohimin e faktit të ekzistencës së Holokausitit kërcënohen me lindjen e teorisë së superioritetit racor. Për këtë flitet në deklaratën e përbashkët të Presidentit të Rusisë dhe Kryeministrit të Izraelit, të miratuar në lidhje me 65 vjetorin e fitores mbi Gjermaninë fashiste. Dokumenti u bë përfundim i bisedimeve të Dimitri Medvedievit dhe Beniamin Netaniahut, që u zhvilluan të hënën në Moskë. Kontributi i Bashkimit Sovjetik në arritjen e fitores mbi fashizmin është i pamundur të mbivlerësohet, vuri në dukje Kryeministri izraelit në takimin me Presidentin e Rusisë. Si Netaniahu, ashtu dhe Medvedievi janë mëse të bindur, se edhe me përpjekjet për "redaktimin" e përfundimeve të Luftës së Dytë Botërore, edhe me mohimin e faktit të shfarosjes masive të hebrenjve nga nazistët duhet luftuar më aktivisht. Sepse fjalë bëhet jo vetëm për historinë, por edhe për të tashmen dhe të ardhmen e popujve. Pozitat e të dyja vendeve në lidhje me këtë çështje janë mëse të qarta: përpjekjet për revizionimin dhe heroizimin e fashimit janë të mbarsura me rrezikun e lindjes së reaksionit zinxhir, pra, lindjen e teorisë së pastërtisë dhe superioritetit racor, me shpërthimin e një vale të re ksenofobie. Rusia dhe Izraeli kanë mjaft mospërputhje në lidhje me çështje të ndryshme politike. Por kujtimi mbi Luftën e Dytë Botërore dhe Fitoren e Madhe është i shenjtë si për Moskën, ashtu dhe Tel Aviv-in. Dhe për autoritetet e të dyja vendeve ky kujtim mbetet më prioritar se sa mosmarrëveshjet politike, vuri në dukje në intervistën e vet dhënë radiokompanisë "Zëri i Rusisë" Drejtuesi i Fondit "Kujtesa historike" Aleksandër Djukov: "Në vendet e Europës Lindore dhe, para së gjithash, në shtetet e Pellgut të Balltikut, po avancon procesi i heroizimit të këlyshëve, bashkëpunëtorëve të nazizmit. Ky revizionim i historisë shfrytëzohet për krijimin e shoqërive etnokratike, në të cilat pakicës rusishtfolëse i kufizohen të drejtat ekonomike dhe politike. Kjo është një dukuri jashtëzakonisht e rrezikshme, e cila me kalimin e kohës, pa dyshim, mund të çojë edhe në shpërthimin e një vale të re ksenofobie. Historia duhet të studiohet me të gjitha ndërlikimet  e saj, pa iu shmangur as faqeve të errëta dhe as atyre të ndritura të saj. Në qoftë se rehabilitimi i kriminelëve nazistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre do të bëhet politikë shtetërore, atëhere kundërveprimi duhet realizuar në po në nivel shtetëror", konkludon Aleksandër Djukov. Me qëllim që ti jepet fund njëherë e mirë tentativave të disa veprimtarëve politikë për ta kthyer mbrapsh rrotën e historisë duhet të studiohen në mënyrë maksimalisht të plotë dhe objektive  krimet naziste, shprehen me bindje analistët. Ia vlen të ngrihen sërish nga arkivat dokumentet që konfirmojnë faktin e tragjedisë së Holokaustit dhe tragjedinë e miliona rusëve, ukrainasve, bjellorusve të shfarosur nga nazistët. Një punë e tillë tashmë po zhvillohet edhe në Moskë, edhe në Tel Aviv. Fitorja mbi fashizmin si për rusët, ashtu dhe për hebrenjtë nuk do ta humbasë kurrë rëndësinë e vet jashtëzakonisht të madhe. Kurse 65 vjetori i këtij evenimenti historik do të kremtohet gjerësisht edhe në Rusi, edhe në Izrael.