Zëri i Rusisë  

Në Moskë festa e dashur ruse Maslenica (festa e funddimrit, pra, përcjelljes së dimrit e fillimpranverës) do të kremtohet gjerësisht nga 8 deri më 14 shkurt në më shumë se 200 sheshe kryeqytetase. Sipas traditës, epiqendër e shëtitjeve popullore do të bëhet vendi i quajtur Vasiljevskij Spusk në Sheshin e Kuq kryesor të vendit, ku do të hapë dyet e veta me mikëpritje qyteza e Maslenicës. Atje njerëzit do të mund të bëjnë xhiro në carousele, të marrin pjesë në lojrat, zbavitjet dhe konkurset e shumta, të blenë produkte artizanale popullore ruse dhe, sigurisht, të kënaqen me ngrënien e palaçinkave të sapo nxjerra nga tigani - gostisjen kryesore të festës së Maslenicës, tregon Kryetari i Komitetit për turizmin pranë qeverisë së Moskës Grigori Antjufiev: "Maslenica (funddimri) është festa më e lashtë popullore në vendin tonë, e cila e merr fillesën e vet në Rusinë pagane të parakrishtere. Maslenica është një festë shumë e bukur, dashamirëse, "e ngopshme", e ngohtë, plot gaz e hare", tha ai. Duke ndjekur traditat popullore, për çdo ditë të veçantë të festës së Maslenicës në Moskë është përgatitur një program i veçantë. Dita më gazmore dhe më e ndritur e Maslenicës është "E enjtja e qejfit pa kufi", devizë e së cilës është: "Sa më shumë qejf të bësh në këtë ditë, aq më mbarë të ecën viti!" Mysafirë të qytezës së Maslenicës do të jenë edhe romët me arinj e instrumenta muzikore, vallëtare, njerëzit do të mund të marrin pjesë në karnavale, të bëjnë xhiro me trojka, të shohin debutimet e ansambleve folklorike dhe atyre të këngëve e valleve. Do të përfundojë festa më 14 shkurt në ditën e quajtur "E diela e Ndjesës", kur është bërë zakon që njerëzit ti kërkojnë falje njëri tjetrit për të gjitha fyerjet, grindjet, mëritë, keqdashësitë e bëra me dashje e padashje.  Pikërisht në këtë ditë nëpër rrugët e kryeqytetit do të zhvillohet parada-karnaval e Maslenicës. Kulminacion i festës do të bëhet momenti i shndërrimit të dordolecit të Maslenicës në bukuroshen Pranverë, hollësitë e të cilit mbahen sekret tani për tani. Këtë vit festa në Moskë do të kalojë për herë të parë pa djegien tradicionale të dordolecit të Dimrit. Festa ruse "Maslenica e gjerë" është regjistruar zyrtarisht në Katalogun e festivaleve ndërkombëtare dhe karnavaleve të planetit. Që prej shekujsh që s'mbahen mend Festa e Maslenicës i habiste mysafirët e ardhur nga jashtë me bujarinë, përmasat e gjera dhe gëzimin e harenë e vet. Vitin e kaluar "Maslenicën e gjerë" e festuan për herë të parë në sheshin përpara Bashkisë së kryeqytetit britanik. Këtë vit palaçinkat ruse-të rrumbullakëta dhe ngjyrë floriri, si shembëlltyra të vogla të diellit, i cili fillon të pjekë në pranverë, do të mund ti provojnë në ajër të pastër jo vetëm banorët e Londrës, por edhe ata të Dublinit.